E Diel, 1 Nëntor 2026

Dejtona 500 Montoja pesoi nje perplasje te frikshme

Ka shpëtuar mirë edhe kësaj herë. Fjala është për Huan Pablo Montojën, një nga të çmendurit e garave të shpejtësisë, që u përplas në mënyrë të tmerrshme me një makinë tjetër në garën NASCAR.
Ndoshta ishte fat i madh që piloti kolumbian po e drejtonte makinën e tij Shevrolet jo shumë shpejt, ndërsa në pistë kishte mjete që po punonin për pastrimin e saj. Në një moment, për një problem mekanik, makina e Montojës nuk iu bind më drejtuesit të saj, por mori një trajektore të gabuar dhe shkoi u përplas me mjetin.Për fat, Montoja dhe drejtuesi i makinës që u godit nuk patën asnjë pasojë, diçka jo shumë e shpeshtë në këto lloj garash. Pasoja e vetme ishte dëmtimi i makinave dhe një zjarr i madh i ndihmuar nga 800 litra benzinë që kishte mjeti i shërbimit.
Dejtona 500, apo gara e tmerrshme prej 500 miljes ka pasur sezonin e saj më problematik, pasi u shty për shkak të shiut, hera e parë që i ndodh në historinë e saj.
Pas këtyre shtyrjeve, erdhi përplasja në xhiron e dytë që përfshiu disa nga pretendentët kryesorë. Ndër ata që u përplasën ishin edhe kampioni i pesëfishtë Xhimi Xhonson, fitues i edicionit të vjetshëm Trevor Bejn dhe ylli femëror i automobilizmit amerikan, Denisa Patrik.
Pas disa orë rrëmuje të vërtetë, gara më në fund përfundoi me fitoren e Mat Kensethit me makinën Ford, që la pas Shevroletin e Dejl Ernhartit Xhunior dhe Fordin tjetër të drejtuar nga Greg Bajfël.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›