E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, kryebashkiaku Dako mbjell pemë në Ditën e Tokës

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka marrë pjesë në mbjelljen e pemëve në rrugën e Epikateve pranë shëtitores së qytetit me rastin e 22 prillit Ditës Ndërkombëtare të Tokës. Mbjellja e pemëve në sajë të nismës së Bashkisë Një jetë një pemë ka patur një shtrirje të gjerë në të gjithë Durrësin. Sezonin e kaluar dhe në fillimin e sezonit të këtij viti bashkia ka mbjellë në total rreth 2000 pemë të llojeve të ndryshme në të gjithë qytetin. Sasia e pemëve të mbjella vetëm këtë fillim sezonin është 752 pemë të llojeve magnola, panjë, lis, frashër, oleandër etj. Në këtë mbjellje në ditën ndërkombëtare të tokës me nismën e bashkisë është bashkuar edhe shoqata e Kryqit të Kuq dhe Qendra komunitare Sot për të ardhmen që kanë ndihmuar punonjësit e ndërmarrjes së gjelbërimit në mbjelljen e këtyre pemëve. Në fjalën e tij përshëndetëse, kryebashkiaku Dako deklaroi se gjelbërimi është një prioritet i Bashkisë së Durrësit: Një nga prioritetet e Bashkisë është shtimi i sipërfaqeve të gjelbra në Durrës në funksion të një mjedisi sa më të pastër për qytetarët e Durrësit. Edhe ky vit do të vazhdojë të jetë vit i gjelbërimit të rrugëve dhe lulishteve të Durrësit. Gjatë gjithë mandatit tim do të vazhdojë pareshtur mbjellja e sa më shumë pemëve pasi mjedisi është një nga prioritetet tona kryesore që i shërben vizionit të një qyteti turistik evropian, është shprehur Dako. Kjo mbjellje pemësh është kryer pikërisht në ditën e tokës që në mbarë botën shërben për sensibilizimin në lidhje me një mjedis të pastër. 22 prilli është dita e tokës, ngjarje globale, që filloi në vitin 1970 dhe nga shumë njerëz njihet si një ngjarje që i dha hov një lëvizjeje të re për mbrojtjen e mjedisit.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›