E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekada e solidaritetit polak

Polonia rrëfen rrugën e saj drejt lirisë, në ekspozitën "Dekada e Solidaritetit". Në fotografitë e ekspozuara në Muzeun Historik, jepen 20 vjet luftë, përpjekje dhe besim të lëvizjes "Solidarnosç"


"Në Poloni u deshën dhjetë vjet, në Hungari dhjetë muaj, në Gjermaninë Lindore dhjetë javë dhe në Çekosllovaki dhjetë ditë." Ky është përfundimi që historiani britanik, Timothy Garton Ash, nxori pas vëzhgimit të revolucionit të kadifenjtë në Pragë. Polonia është vendi që luftoi më gjatë për të arritur demokracinë, plot një dekadë.


Këtë dekadë mban për titull edhe ekspozita e çelur në ambientet e muzeut Historik Kombëtar, nga Ambasada Polake "The decade of solidarity", (Dekada e solidaritetit). Një ekspozitë që u dedikohet dhjetë viteve veprimtari të organizatës së parë antikomuniste në Poloni, "Solidarnosç".


Gjithçka nis pas pelegrinazhit të parë të Papa Gjon Palit II, në atdheun e tij, në qershor të vitit 1979. Vizita u dha zemër polakëve për të marshuar drejt lirisë. Në "The decade of Solidarity" jepen momentet gjatë të cilave ka kaluar lëvizja "Solidarnosç" përgjatë një dekade.


Fotografitë e ekspozitës japin një udhëtim në jetën e "Solidarnosçit": lindja organizatës, sakrificat, dënimet, vrasjet e për të mbërritur më pas në ditën e madhe. Në prill të 1989-ës, kur përfaqësuesit e saj (ata që u kishin shpëtuar burgjeve) u ulën në një tryezë të rrumbullakët me përfaqësuesit e pushtetit. Këtu do të niste edhe rruga drejt zgjedhjeve të para të lira në Poloni.


Një vend të veçantë në këtë ekspozitë zë edhe njëri nga themeluesit e lëvizjes, i cili më pas do të bëhej dhe President i Polonisë, Lech Walesa.
Veç kontributit të tij në këtë lëvizje është pasqyruar edhe vlerësimi me çmimin "Nobel" për paqen më 1983.


Në afishen që tregon këtë moment, jepen familjarët e tij që po tërheqin çmimin në Danimarkë, pasi, siç lexohen në shpjegimin që i është bashkangjitur fotografisë, Walesa nuk mund të largohej në atë moment nga Polonia.


Përgjatë gjithë ekspozitës është e pranishme figura e Papa Gjon Palit II. Gjatë kësaj dekade ai vizitoi Poloninë vetëm tre herë, por vizitat cilësohen si shumë të rëndësishme për t'i dhënë zemër popullit polak për të vazhduar luftën e tij ndaj regjimit komunist.
Momenti i fundit i paraqitur përkon me rënien e Murit të Berlinit, që shënoi edhe rënien e sistemit totalitar në të gjithë Evropën.


"Dhe pikërisht këtij momenti i dedikohet dhe kjo ekspozitë", - u shpreh gjatë fjalës së hapjes ambasadorja polake, Irena Tatarzynska. Çelja e ekspozitës u shoqërua me shfaqjen dokumentarit "Rruga drejt Lirisë, rruga drejt Evropës së Bashkuar".


Edhe dokumentari, njësoj si ekspozita, tregonte hap pas hapi ngjarjet politike më të rëndësishme të Polonisë. Vetëm se dokumentari nuk përfundonte me zgjedhjet e para të lira në Poloni, por me arritjen më të madhe të Republikës së Polonisë: anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 13 shtator.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›