Ekstradohet i dënuari me 17 vjet burg për prostitucion
TIRANË- Ekstradohet nga Italia, i dënuari në mungesë me 17 vjet burg për akuzën e "shfrytëzimit të femrave për qëllime prostitucioni", i akuzuar për një ngjarje të ndodhur tetë vite më parë. Policia ka bërë të ditur se Ardian Çukaj, 32 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Durrës është ekstraduar dje nga Roma nëpërmjet zyrës së Interpol Tiranës, për të vuajtur dënimin që ka marrë.
Sipas të dhënave që i referohen dosjes penale të Çukajt, ky i fundit në bashkëpunim me një person tjetër kanë dërguar në Itali një femër me inicialet F. A, për ta shfrytëzuar për prostitucion. Por vajza i ka shpëtuar trafikimit dhe ndaj dy personave që e kane kaluar në shtetin fqinj ajo bëri një kallëzim, që çoi më pas në arrestimin dhe dënimin e tyre.
Lidhur me tentativën e të ekstraduarit, Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, ka vendosur dënimin e Çukajt me 17 vjet burg në mungesë, vendim i marrë në janar të vitit 2005, ku mësohet se i njëjti dënim është dhënë dhe për personin tjetër i përfshirë në këtë ngjarje dhe që është cilësuar si bashkëpunëtori i 32- vjeçarit nga Durrësi.
Pas kërkesës së autoriteteve të drejtësisë shqiptare është kryer arrestimi i Ardian Çukajt më katër nëntor të vitit 2008, me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri.