Dorela Dajti takon të vëllanë në burg
Prokuroria lejon takimin e gruas së Dajtit me Ergest Xhoxhin. I arrestuari merr rroba dhe ushqime nga familja
TIRANË- Bashkëshortja e Dritan Dajtit, takon vëllanë e saj Ergest Xhoxhi në qelinë e paraburgimit "Jordan Misja". Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilët shtuan se shtetasi Xhoxhi përveç takimit me familjarët e tij është takuar edhe me avokatin mbrojtës.
Gjithashtu, këto burime saktësuan se përveç takimit 30 minutash me motrën, Xhoxhi ka pranuar edhe disa ushqime e rroba të sjella nga familja. Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, kunati i Dajtit i është nënshtruar një ekzaminimi mjekësor, duke kryer disa vizita shëndetësore.
Nga kryerja e këtyre ekzaminimeve mjekësore, ka rezultuar se gjendja e tij e përgjithshme është e mirë, duke marrë parasysh vetëm disa shenja të mavijosura që ndodheshin në trup nga shtrëngimi i prangave në momentin e arrestimit. Ndërsa, pretendimet e tija për ushtrim dhune në momentin e arrestimit, nuk janë konstatuar nga mjekët specialistë, të cilët kanë shtuar se "gjendja e tij është normale dhe pa asnjë shqetësim".
Mësohet se Xhoxhi mbahet i izoluar në një nga qelitë e paraburgimit "Jordan Misja" në kryeqytet, i vetëm në një dhomë në pritje të prokurorëve të çështjes për ta marrë në pyetje në prani të avokatit të tij mbrojtës, Arben Qeleshi. Sipas akuzës, i arrestuari Xhoxhi akuzohet se ka konsumuar veprën penale të "përkrahjes së autorit të krimit", pasi në momentin e arrestimit të Dajtit ai ndodhet në makinë me të duke e shoqëruar.