Deklarata e “Der Spigel” për Greqinë, KE e mohon

Një ditë pasi revista gjermane “Der Spigel” shkruante se FMN-ja ka njoftuar udhëheqjen e BE-së se nuk do të marrë pjesë në ndihmën e mëtejshme për Greqinë dhe se shteti helen falimenton në muajin shtator kanë ardhur dhe reagimet e para. Komisioni Evropian ka hedhur poshtë historinë e Der Spigel ndërsa ka njoftuar planet për të ndihmuar Greqinë.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian Frederic Vincent tha për AFP-në se ne nuk ka asnjë informacion në lidhje me synimet e tilla nga ana e FMN-së . Gjithsesi, ai tha se kontributi i Fondit për paketën stimuluese të dytë në Greqi, është relativisht i vogël.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Guido Westerwelle në një intervistë për mediat gjermane tha se “Ne duam Greqia të qëndrojë në eurozonë, por kjo është në dorën e Greqisë”. Sa i përket shkrimit të revistës Westerwelle tha se ky është një presion për Greqinë që të marrë masa, duke nënkuptuar kështu që nuk do të ketë edhe një rinegocim të kushteve.
Në të njëjtën linjë ishte dhe ministri gjerman i Financave Wolfgang Schauble. “Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Greqinë, por ajo nuk mund t`iu shmanget reformave strukturore. Nuk ka zgjidhje tjetër nëse Greqia don të rifitojë sërish akses në tregjet financiare”, deklaroi Schauble.
Ndërkohë ende nuk ka pasur ndonjë reagim nga politika greke, megjithse të gjitha mediat e shtetit Helen në faqet e para kanë lajmin e falimentimit. Trojka mbërrin nesër në Athinë, për takime të reja me zyrtarët grekë, nga të cilët pret të mësojë masat që do të marrin dhe shkurtimet që do të kryejnë, për kursimin e 11.7 miliardë eurove gjatë dy viteve të ardhshme.