E Shtunë, 31 Tetor 2026

Norvegji, një vit nga masakra e Utojës

Në hapje të ceremonisë përkujtimore në Oslo, Kryeministri norvegjez, Jens Stoltenberg tha se autori i këtyre sulmeve, ekstremisti i djathtë, Anders Behring Breivik, kishte dështuar për të ndryshuar kombin më liberal skandinav.
     
"Bomba dhe plumbat e Breivik kishin si synim të ndryshonin Norvegjinë. Populli norvegjez i është përgjigjur duke nxjerrë në pah vlerat e tij. Vrasësi dështoi, populli ka fituar'', deklaroi Stoltenberg.

Më 22 korrik 2011, Breivik shpërtheu një kamion me eksploziv para zyrave të kryeministrisë duke vrarë 8 persona, e më pas iu drejtua ishullit të Utojës ku vrau 69 të rinj të Partisë Laburiste të Norvegjisë. Rreth 242 persona mbetën të plagosur në këto dy sulme.
     
Kryeministri Jens Stoltenberg do të vendosë lule në monumentin përkujtimor në ishullin e Utojës  dhe me mijëra qytetarë priten ta shoqërojnë në këtë akt nderimi.
     
Breivik, i cili ka pranuar autorësinë e vrasjeve, por jo përgjegjësinë kriminale, është në proces gjykimi dhe muajin e ardhshëm, gjykata do të shprehet nëse do të vendosë ndaj tij burgimin e përjetshëm në një burg të sigurisë së lartë apo shoqërimin në një klinikë të shëndetit mendor.

                                                                                             2012-07-22 16:55
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›