Kryeministri Berisha ngushëllon familjet e inspektorëve të policisë, të rënë në detyre, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila
Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjarëve dhe të afërmve të dy policëve, të cilët u vranë barbarisht në krye të detyrës, inspektor Shkëlzen Dobrushi dhe inspektor Ramadan Hila.
Duke i shprehur ngushëllimet e tij më të thella, të familjes së tij dhe të qeverisë shqiptare, në këtë mesazh ngushëllimi, Kryeministri shprehet;
“Të dashur fëmijë, bashkëshortë, prindër dhe familjarë të inspektorëve, Shkëlzen Dobrushi dhe inspektor Ramadan Hila, të rënë në detyrë;
Në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, ju shpreh ngushëllimet më të thella për humbjen e jetës së prindërve, bashkëshortëve dhe bijve tuaj më të dashur, Shkëlzen Dobrushit dhe Ramadan Hilës. Rënia e tyre me nder në krye të detyrës, në mbrojte të jetës, sigurisë dhe rendit të qytetarëve shqiptarë, është një humbje e madhe, jo vetëm për familjen tuaj të nderuar, por për të gjithë Policinë e Shtetit, Kukësin dhe mbarë Shqipërinë.
Me këtë rast, Unë i përcjell ngushëllimet më të thella të gjithë efektivëve të Policisë së Shtetit dhe i garantoj për mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare në misionin e tyre të madh.
Inspektorët, Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila u martirizuan dje për të fituar pavdekësinë, në altarin e të rënëve të kombit, i cili do t’u jetë atyre përjetë mirënjohës. Ndërsa ai që shkrehu mbi ta zjarrin vdekjeprurës, do të marrë ndëshkim shembullor dhe të merituar, për aktin e tij makabër.
Duke ndarë me ju dhimbjen e thellë dhe pikëllimin e madh, së bashku me qeverinë time, ju shpreh Juve solidaritetin më të plotë dhe lutem me ju që shpirtrat e bijve tuaj të dashur, që flijuan rininë dhe jetën në emër të detyrës, të gjejnë paqen e merituar.
Me respekt,
Sali Berisha”
24/03/2009