E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi viziton Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve me rastin e Festës së Sulltan Novruzit.

22 mars 2009

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë Teuta Topi, vizitoi sot Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve me rastin e Festës së Sulltan Novruzit.

Pas u përshëndet dhe bashkëbisedoi me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi, i cili mirëpriti Kryetarin e Shtetit dhe Zonjën e Parë gjatë kësaj vizite, Presidenti Topi përcolli përmes mediave të pranishme, urimet më të mira e të përzemërta për të gjithë besimtarët bektashinj shqiptarë kudo ata ndodhen.

“Është një ditë e veçantë, besoj në radhë të parë për besimtarët bektashinj. Në këtë ditë të shënuar, unë i uroj të gjithë besimtarët bektashinj ta gëzojnë festën e Sulltan Novruzit. Ashtu sikurse e them vazhdimisht në të të tilla raste kjo është një festë për të gjithë shqiptarët, sepse në mënyrë shumë civile ne respektojmë festat e të gjithëve. Është një festë që koinçidon me fillimin e pranverës, pra, gjithmonë një ditë pas ekuinoksit pranveror kemi ditën e Sulltan Novruzit, që paralajmëron rilindjen e një dite të re. Me sa më kanë thënë domethënia e kësaj feste është “një ditë e re lind”. Besoj kjo ka shumë sinjifikate për të gjithë rilindjen e Shqipërisë, sikurse po rilind, dhe besoj një rilindje për të gjithë shqiptarët kudo ata jetojnë. Edhe ju ju uroj “Gëzuar Festën!”, pavarësisht nga besimi”, - u shpreh Presidenti i Republikës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›