Deklarata e Ministrit të Financave: “Jashtë vendit dalin 136 milionë dollarë, Shqipëria e fundit në listën vendeve të rajonit”

Opozita manipulon, raporti i GFI vlerëson pozicionin ekonomik të Shqipërisë
Ministri i Financave Ridvan Bode i quajti manipulime pretendimet e opozitës për nxjerrjen e 1.3 miliardë dollarëve jashtë vendit.
Sipas tij, një tendencë e tillë manipuluese ka për qëllimin denigrimin e qeverisë, pasi raporti nuk thekson se Shqipëria është përkeqësuar krahasuar me vite më parë. Ai deklaroi se sipas GFI-së, jashtë vendit dalin 136 milionë dollarë dhe Shqipëria është e listuar në vendin e fundit në vendet e rajonit. “Çfarë thotë ky raport i Global Financial Integrity në konkluzionin e tij, ku ndodhet Shqipëria. Thashë janë 143 vende dhe për disa vende nuk ka të dhëna dhe kanë mbetur jashtë klasifikimit. Shqipëria ndodhet në vendin e 106. Duke pasur një fluks vjetor ku daljet rezultojnë më të mëdha se importet ndërkohë që vende si Meksika, Rusia, kanë shifra më të larta, me 47 miliardë. Vetë renditja dëshmon për një raport tërësisht normal. Jemi në vendet e fundit në këtë tregues negativ. Po ta shikojmë në kontekst rajonal. Serbia në vendin e 16 me fluks negativ të dalje neto të parave prej 5 miliardë dollarësh në vit, Bullgaria me 1.5 miliardë, Kroacia me 1.5 miliardë, Mali i Zi me 1 miliardë në vit. Ky është një raport që përmbledh një periudhë 10-vjeçare, me analiza dhe studime me vendet në zhvillim”, u shpreh Ridvan Bode.
Kreu i Financave theksoi se sipas sqarimeve që bëhen në këtë raport që në hyrje të tij, raporti nuk bazohet në flukse evazioni, as në nxjerrje parash nga pikat e kalimit kufitar, as në ndonjë hetim të brendshëm të vendeve. “Renditja bëhet sipas rendit zbritës, pra në nivelet më të larta të hierarkisë janë vendet që kanë diferenca më të mëdha në flukset dalëse të kapitaleve. Sipas shpjegimeve që jepen bëhet fjalë për matjen e diferencave mes flukseve dalëse të kapitaleve, ose pagesave të bankave qendrore dhe flukseve tregtare. Këto të dhëna janë të raportuar zyrtarisht nga qeveritë përfshirë dhe ne, dhe të regjistruara nga FMN dhe BB”, deklaroi Bode. Ai akuzoi opozitën duke u shprehur se përdori raportin për të hedhur baltë mbi Shqipërinë. “Opozitarët nxitojnë ta nxjerrin si korrupsion dhe nxjerrje të parave jashtë ligjit. Dola thjesht për të sqaruar dhe ti jap fund këtij debati që synon të japë të kundërtën dhe përbaltë vendin me demagogjinë që bën,ndërkohë që vendi ndodhet në një pozicion të nderuar. Në mungesë të argumenteve politike e duke qenë jashtë debatit të ekonomisë e realitetit në botë e në vend dhe në kompleksin e fajit për penalizimin e vendit për bllokimin në integrim, kërkojnë të sajojnë argumente për të denigruar qeverinë e ngarkuar atë me gjëra të pavërteta”, tha Bode.
I pyetur lidhur me deklaratat e fundit të Bankës Botërore për rritjen ekonomike në të cilat artikulohet se Shqipëria për vitin 2013 do të ketë një rritje prej 0.8 për qind, Bode tha se me këtë deklaratë, BB i ka varur një dekoratë qeverisë shqiptare pasi vendet e rajonit vlerësohet të kenë rritje negative.