E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata e Patozit? Basha: I lirë për mendime. Rama qendrim anti-shtet për INSTAT

TIRANË- Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha ka inauguruar sot përfundimin e punimeve në rrugën “Gramoz Pashko”, ndërsa u shpreh se institucioni që ai drejton do vazhdojë me projekte të tilla.

Si kryetar i PD-së, ai i është përgjigjur edhe interesimit të mediave. Kryetari i PD Lulzim Basha e ka konsideruar ndryshimin e funksionimit të INSTAT, paralajmëruar nga kryesocialisti Edi Rama, tentativë për të manipuluar të vërtetën dhe fshehur dështimin e premtimeve piramidale të 23 qershorit. Zoti Basha ka garantuar se Partia Demokratike do të qëndrojë fuqishëm, në mbrojtje të çdo institucioni, sikundër do të demaskojë pa reshtur çdo përpjekje të mazhorancës së re, për të manipuluar dhe fshehur mosmbajtjen e premtimeve të 23 qershorit. 

“Qëndrimi i djeshëm i kryesocialistit, edhe njëherë dëshmon një mendësi të vjetër anti-shtet, anti-institucione. Ky është një propozim, për të zhdukur dhe eliminuar një zë të fuqishëm të së vërtetës që është Instituti i Statistikave, zë të cilin opozita e djeshme e ka përdorur sa herë i ka leverdisur. Nuk kemi të bëjmë vetëm me qëndrim me dy standarde por kemi të bëjmë me një projekt të rrezikshëm anti -shtet, zhdukja e një zëri të besueshëm siç është INSTAT, me qëllim për të manipuluar të vërtetën dhe fshehjen e dështimeve të pritshme dhe mosmbajtjen e premtimeve piramidale të 23 qershorit. Partia Demokratike do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të çdo institucioni, do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të INSTAT-it si një institucion i zërit të besueshëm dhe i të vërtetës dhe në çdo rast do të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të së vërtetës dhe nxjerrjen e saj para shqiptarëve ashtu siç është, demaskimin e çdo përpjekjeje për ta manipuluar atë akoma pa u instaluar në pushtet, si një përpjekje për të manipuluar vetë kontratën e 23 qershorit që po faktohet dita ditës si një kontratë mashtrimi, karshi qytetarëve shqiptarë” – theksoi Basha.

Kreu i ri i PD-së ka komentuar edhe deklaratat e Astrit Patozit për zgjedhjet në PD. Sipas Bashës, cdo njeri brenda asaj parti është i lirë të shprehë mendimet dhe qëndrimet e tij.

“Në Partinë Demokratike, çdokush thotë atë që mendon apo atë që do të thotë. Kjo vlen për anëtarët e thjeshtë të PD, vlen për drejtues, vlen për këdo. Ne jemi dhe mbetemi parti e njerëzve të lirë dhe lirisë së shprehjes së mendimit në çdo kohë dhe për çdo çështje. Për çështjen në fjalë, mbi 41 mijë anëtarë të PD janë shprehur qartë dhe duke dëgjuar vullnetin e tyre, zërin e tyre, është detyra ime por edhe e gjithkujt prej nesh të angazhohemi maksimalisht për një përballje të fortë, të vendosur e të pandarë, me sfidat që na presin dhe kthimin e këtyre sfidave në mundësi për PD dhe nëpërmjet PD, për shpresat dhe aspiratat e çdo qytetari shqiptar karshi mazhorancës problematike të mashtrimit të 23 qershorit” - u shpreh ai. 

Me një investim prej 99.6 milionë lekësh, ka përfunduar ndërtimi i rrugës “Gramoz Pashko” që u shërben rreth 8 mijë banorëve. Përgjatë kësaj rruge me gjatësi 541.5 m, gjerësi 7 m dhe trotuare në dy anët, janë ndërtuar kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza, është risistemuar dhe pastruar kolektori, janë vendosur 69 shtylla të ndriçimit rrugor si dhe janë mbjellë 270 pemë bli. Përgjatë gjithë segmentit rrugor, janë kryer punime për linjat rezervë, fibra optike dhe shërbimet inxhinierike nëntokësore.

“Kjo është një rrugë tërësisht e re e kryeqytetit, që u shërben mbi 8 mijë banorëve dhe mbi 30 mijë qytetarëve të tjerë që do ta përdorin atë si arterie komunikimi ditë për ditë. Është një rrugë e bërë me parametra modernë, që ka ndryshuar tërësisht cilësinë e jetës së këtyre banorëve, këtu, mban emrin e një prej themeluesve të Partisë Demokratike dhe sot jam jashtëzakonisht i kënaqur që bashkë me banorët shikojmë përfundimin e një pune e cila faktikisht bëri sikur nisi për afro 10 vjet, por nuk nisi asnjëherë. Sot, kjo rrugë është një premtim i mbajtur për këta banorë, është një tjetër dëshmi e transformimit në qytetin e Tiranës, nga përkushtimi dhe fokusimi i vëmendjes së bashkisë së qytetit, tek nevojat e qytetarëve dhe tek problemet e projektet që përmirësojnë cilësinë e jetës anembanë qytetit” – u shpreh z. Basha.
(m.a/BalkanWeb) Lidhje te tjera Patozi: Berisha gaboi, nuk pati garë, fituesi ishte i paracaktuar Rama: Auditim ndërkombëtar për situatën e krizës, INSTAT larg  'tutelës' së qeverisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›