E Diel, 1 Nëntor 2026

Librazhd, vidhet linja e transmetimit, fshati Qarrishte 13 ditë pa energji elektrike

LIBRAZHD –Banorët e fshatit Qarrishtë në Librazhd vuajnë prej 13 ditësh mungesën e energjisë elektrike. Sipas Adriatik Biçakut, kryetar i këtij fshati, shkak për mungesën e energjisë është bërë vjedhja e rrjetit shpërndarës të energjisë në një gjatësi prej 3,5 km në segmentin Koshorisht -Letëm komunës së Lunikut.

Ndërkaq sipas tij, edhe pse është bërë menjëherë denoncimi në organet kompetente për vjedhjen e kryer, e cila dyshohet të ketë qenë e mirë organizuar në bashkëpunim nga disa persona, ende nuk ka asnjë autor të identifikuar të saj.

Gjithashtu, pavarësisht se kanë kaluar dy javë nuk po merren masat e nevojshme për zëvendësimin e linjës së vjedhur, duke lënë në errësirë të plotë me dhjetëra familje të këtij fshati të thellë malor.

Paraditen e sotme një përfaqësi e familjeve të këtij fshati kanë protestuar para nënprefekturës dhe zyrave të CEZ-it, me shpresën se do të mund të fillojë puna për zëvendësimin e linjës së vjedhur dhe rikthimin e furnizimit me energji të fshatit Qarrishtë.

(er.nu/f.popja/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›