Stojku: “Alarmi, Fierza rritet me 2 cm në orë”
Autori i Lajmit: Redaksia
Situata në kaskadën e Drinit po përkeqësohet për shkak të prurjeve të larta, të cilat janë dy herë më të larta se dje duke arritur në 1500 metër kub në sekondë. Për pasojë niveli i liqenin në hidrocentralin e Fierzës ka arritur në 292.48 metra, ose 2.48 metër mbi kuotat e sigurisë që përcakton rregullorja për shkarkimin e ujërave nga portat e hidrocentraleve. “Fierza tani rritet me 2 centimetra në orë”, thote kreu i KESH, Muharrem Stojku. Sipas Stojkut, të tre hidrocentralet po punojnë me kapacitet maksimal dhe nga të tre po shkarkohen sasi të mëdha uji. Në Fierzë po shkarkohet 650 metër kub ujë në sekondë. Në Fierzë 1700 metër kub, ndërsa në Vaun e Dejës 2380 metër kub ujë në sekondë. Koorporata shpreson që prurjet të vijnë duke u ulur. “Nëse kthehet sërish situata në ditët e ardhshme unë mendoj se mund të rriten shkarkimet, por për momentin theksoj që dëbora që ishte nëpër male pjesa më e madhe duhet të ketë shkrirë”, thotë Stojku. Pavarësisht situatës së rëndë, shkarkimet nga hidrocentralet kryesore në vend do të vazhdojnë. Kreu i KESH-it, Muharrem Stojku u shpreh se pavarësisht shkarkimeve në mbi 650 metër kub ujë në sekondë nga Fierza, si dhe prodhimit maksimal të energjisë elektrike, kuota aktuale është 292.4 metra. Por, pavarësisht situatës alarmante, Stojku siguron se nuk rrezikohet shpërthimi i digave. Ndërkohë, liqeni i Ulzës është në kuotën e 128 metrave dhe prurjet llogariten me 550 metër kub për sekondë. Si Prifti dhe Stojku kanë mohuar akuzat e opozitës, se portat nuk janë hapur në kohën e duhur.
Ky lajm është publikuar: 08/01/2010