Deklarata e ambasadorëve: KQZ të tregojë kujdes në saktësinë e rezultatit- ankesat të shqyrtohen sipas Kodit Zgjedhor

UPDATE- Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Ëollfarth, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu dhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ettore Sequi deklaruan së bashku:
Më shumë se një javë ka kaluar që kur një numër i madh votuesish në Tiranë votuan për postin e kryetarit të bashkisë, më 8 maj.
Qytetarët duan dhe meritojnë qartësi rreth rezultatit të zgjedhjeve.
Është thelbësore që rezultatet zyrtare paraprake të hidhen në tabelë me kujdes nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe të shpallen me shpejtësi.
Po ashtu, është tejet e rëndësishme që procedurat për zgjidhjen e ankesave të jenë të qarta dhe të jenë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore të Shqipërisë, përfshirë Kodin Zgjedhor.
Ne presim që të dyja palët të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë plotësisht procesin demokratik.
Tre ambasadorët, Ettore Sequi i BE-së, Aleksandër Arvizu i SHBA-së dhe Eugen Ëollfarth i OSBE-së, janë angazhuar personalisht duke ndjekur hap pas hapi gjithë procesin zgjedhor të 8 majit.
Berisha me ambasadorët
Tre ambasadorët ndodhen në kryeministri për të zhvilluar një takim me kryeministrin Berisha. Për momentin nuk bëhen të ditura detaje të këtij takimi që nisi reth orës 11:00 por ajo çka dihet është se përfaqësuesit e 3 institucioneve ndërkombëtare të akredituara në Tiranë do diskutojnë për situatën pas zgjedhore dhe vonesat në nxjerrjen e rezultateve për Tiranën.
Dje
Trojka e ambasadorëve, takim me kreun e KQZ, Arben Ristani
Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe prezencës së OSBE-së në Shqipëri, takuan dje në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kryetarin e këtij institucioni, Arben Ristani. Nuk bëhet e ditur se cili ka qenë objekti i bisedës me përfaqësuesve të trojkës së ambasadorëve dhe kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Aleksandër Arvizu, Ettore Sequi dhe Eugen Wollfarth mësohet të jenë fokusuar në situatën post zgjedhore, në pritje të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës.
Ambasadorët e SHBA, BE dhe OSBE asistuan fuqishëm procesin e numërimit, duke vëzhguar hap pas hapi të gjithë leximin e votave të qytetarëve në disa prej KZAZ-ve të kryeqytetit.
Gjithashtu, ambasadorët e SHBA, BE dhe OSBE pritet të asistojnë në finalizimin e shpejtë të procesit të nxjerrjes së rezultateve nga KQZ, pasi të jetë respektuar deri në fund verdikti i qytetarëve.