E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, akt normativ për shqyrtimin e fletëve të kontestuara- do përfshihen në rezultatin përfundimtar

17-05-2011 / Gazeta 55

UPDATE-- Akti normativ për fletët e kontestuara: Do shqyrtohen si të vlefshme


-- Ristani: Do shqyrtojmë kërkesat ankimore të KZAZ-ve për fletët e gjetura në kutitë e këshillave dhe të minibashkive


KQZ përgatit projekt-aktin që parashikon fatin e fletëve të kontestuara dhe të rezultatit përfundimtar për kryetarin e bashkisë së Tiranës. Drafti që parashikon që, fletët e votimit për kryetar bashkie të Tiranës që janë hedhur gabimisht në kutitë e votimit për kryetar njësie dhe ato për këshillat bashkiakë të merren si të vlefshme dhe të jenë pjesë e rezultatit të përgjithshëm për kreun e Bashkisë së Tiranës. KQZ do të mblidhet pas pak minutash për të diskutuar mbi këtë draft të përgatitur nga administrata e KQZ, dhe për ta hedhur në votim. Nënkryetarja e KQZ, Deshira Subashi, e zgjedhur nga PS ka kërkuan një orë kohë që të shqyrtojë aktin e hartuar nga administrata e KQZ e më pas do shpreh mendimin e saj ligjor së bashku me juristët socialistë në këtë institucion.


Akti normativ për fletët e kontestuara: Do shqyrtohen si të vlefshme


Projekt akti normativ saktëson se janë KZAZ-të me nr 46, 48, 49 51, 53, 54 e 55 të cilët kanë kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjnë një rishikim të tabelave e rezultateve. Kërkohet nga KQZ që këto vota të vlefshme të pasqyrohen në tabelën përmbledhëse të rezultateve për kandidatë e, për këshillin e bashkisë Tiranë e cila hartohet nga KQZ. Aktualisht këto fletë votimi janë konsideruar si të kontestueshme nga këto komisione. Në akt projekt është parashikuar dhe mënyra si do të veprojë KQZ në rast se do të miratojë këtë projekt: KQZ duhet të vlerësojë këto fletë votimi e të vendosë se cilin prej kandidatëve apo subejktëve të të bashkisë së Tiranës do të llogariten këto fletë votimi. Ky proces mund të bëhet vetëm pasi të ketë përfunduar procesi i numërimit të votave për njësitë bashkiake në mënyrë që të evidentohen të gjitha fletët e votimit të cilat janë hedhur në kutinë e gabuar. E thënë ndryshe nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të miratojë në mbledhjen e orës 13:30 minuta këtë akt projekt do të duhet të shtyhet sërish nxjerrja e rezultatit për Tiranën, kjo pasi duhet të përfundojë numërimi i votave për njësinë bashkiake nr. 5 e cila ka nisur sot si dhe në njësinë bashkiake nr. 9, e cila ende vijon. Pasi të ketë përfunduar numërimi në këto dy njësi bashkiake e të ketë dalë rezultati nga tabelat përmbyllëse e të jenë dërguar në KQZ, vetëm atëherë do të nisë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numërimi i fletëve të konsideruara të kontestueshme, pra që janë hedhur në kutinë e gabuar. Vetëm pasi të ketë përfunduar ky numërim do i shtohen rezultatit këto fletë e do fillojë krahasimi i të dhënave dhe hartimi i tabelës përmbyllëse.


Arben Ristani: Draft të posacëm për fletët e kandidatëve të gjetura në kutitë e këshillave dhe minibashkive


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur sot të marrë në shqyrtim kërkesat ankimore të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor që drejtohen nga Partia Demokratike, lidhur me kontestimin e fletëve të votimit për kandidatët e Bashkisë së Tiranës, të cilat janë gjetur në kutitë e këshillave dhe minibashkive. Objekt i ankesës drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë fletët e kontestuara ndaj sipas kreut të KQZ-së Arben Ristani del e nevojshme që në cilësinë e KZAZ-së për Tiranën, KQZ të bëjë shqyrtimin e kësaj çështjeje. Ristani kërkoi përgatitjen e draftit përkatës dhe futjen e tij për shqyrtim në mbledhje. Përfaqësuesit politik të Partisë Socialiste janë larguar nga mbledhja menjëherë pas këtij qëndrimi.


Kosovrasti: PS po i bën presion KQZ-së


Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Njazi Kosovrasti deklaroi sot në mbledhjen e radhës të KQZ se, Partia Socialiste po tenton të cenojë punën e institucionit të administrimit të zgjedhjeve. Kosovrasti theksoi se KQZ ka për detyrë të marrë nën shqyrtim cdo ankesë të KZAZ-ve drejtuar institucioneve dhe cdo veprim do të bëhet me rend dite. “Ka institucione këtu, jo bëj me kokën tënde. Do vleresojme cdo të bëhet me fletët që janë gjetur në kutitë e gabuara të vendosim për to. Nuk shpallim rezultat kur numërimi në Tiranë vazhdon”- tha përfaqësuesi ligjor i PD-së, Kosovrasti, ndërsa konsideroi si presione të palejueshme kërcënimet e PS-së ndaj KQZ. “Këto janë deklarime politike, presioni dhe dhuna e ushtruar në këtë sallë është tërësisht e palejueshme. KQZ-ja do të vazhdojë brenda standarteve ligjore”- u shpreh më tej, Kosovrasti.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›