E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklarata e kryeministrit: Reforma të mëdha gjatë vjeshtës, Shqipëria në krye të vendeve për klimën e biznesit

Kryeministri i vendit Sali Berisha, ka deklaruar se Shqipëria do vazhdojë progresin reformator, për tu bërë një vend i denjë për klimën e investimeve të huaja dhe zhvillimin e biznesit vendas. Gjatë inaugurimit të godinës së re të prodhimit të birrës “Korça”, investim i biznesit privat me 20 milionë euro, kryeministri Berisha e konsideroi këtë si fakt domethënës e gjallërisë së ekonomisë shqiptare.
Kreu i qeverisë theksoi se në vitin 2010 janë shënuar nga zhvillimet më të mëdha dhe më pozitive në vend, rritja me 70 për qind e eksporteve “Made in Albania” dhe është tejkaluar me 27 pikë, për lehtësitë në regjistrimin e biznesit, mesatarja e vendeve më të zhvilluara, anëtare të OECD-së. Duke iu referuar zhvillimit të biznesit dhe thithjes së investimeve të huaja, shefi i ekzekutivit shqiptar tha se me reformat e shënuara Shqipëria është një histori më vete suksesi. Për këtë Berisha solli në vëmendje se Shqipëria ka kaluar, nga vendi me investime të ndaluara në Evropë dhe botë, në vendin që e tejkalon me 27 pikë, për lehtësitë e regjistrimit të biznesit, mesataren e vendeve më të zhvilluara të planetit, anëtare të OECD-së.
“Për ne, shqiptarët, është një arritje historike, që kemi kaluar nga vendi me investime të ndaluara në Europë e botë, në vendin që e tejkalon me 27 pikë, për lehtësitë në regjistrimin e biznesit, mesataren e vendeve më të zhvilluara të planetit, anëtare të OECD-së. Për ne, shqiptarët, është një arritje historike fakti se investimi në gjithë sektorët në Shqipëri, krahasuar me vendet mesatare të OECD-së është 7 pikë përpara, 7 për qind më i mirë”, u shpreh kryeministri Berisha.
Ai deklaroi se në këto pesë vite, qeveria e drejtuar nga Partia Demokratike, ndryshoi mjedisin për investimet, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 63-ë që thith më mirë investimet në botë. “Dhe siç do të shkruante një nga mediat financiare të botës para 2-3 javësh, vendi që kishte investime të ndaluara, sot, renditet në 63 vendet që tërheq më mirë investimet në botë. Po kështu, në krahasim me investimet, Shqipëria qëndron në pozicionet më të larta, në vendin e 14-të në botë. Në lirinë fiskale është një nga vendet me liri fiskale më të lartë në botë, mbi 94 për qind. Bashkërisht qeveria, biznesmenët, qytetarët ia dolëm t’i japim Shqipërisë fytyrën e biznesit, pa të cilën shqiptarët në këtë vend, nuk kanë dhe nuk mund të kenë të ardhme”, deklaroi Berisha.
Shefi i ekzekutivit garantoi gjithashtu se qeveria e drejtuar prej tij do vazhdojë kursin e reformave, duke premtuar se një pjesë e madhe e tyre zbatohen gjatë kësaj vjeshte.
“Reforma të thella janë ndërmarrë dhe së shpejti, zbatohen gjatë kësaj vjeshte. Ne do të bëjmë gjithçka dhe nuk do të ndalemi derisa Shqipëria të qëndrojë në krye për sa i përket klimës së biznesit. Ne besojmë se pikërisht në këto reforma qëndron dhe leva e Arkimendit, për ta ndryshuar me shpejtësi këtë vend. Asnjë vend tjetër nuk ka ndryshuar më shpejt, se Shqipëria dhe nuk ka shpejtësinë e ndryshimit të saj, por si vend kohë humbur ka nevojë për shpejtësi marramendëse, edhe më të mëdha dhe ne do t’i realizojmë ato”, deklaroi më tej kryeministri Berisha.
Kryeministri shqiptar tha se qeveria do ndërmarrë çdo reformë për zhvillimin e biznesit dhe rritjen e investimeve në vend.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›