Qeveria kalon në parim projektligjin për prokurorinë
Qeveria kaloi dje në parim projektligjin e ri për funksionimin e prokurorisë. Burime brenda mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave bëjnë të ditur se ky ligj pasi mori miratimin e anëtarëve të kabinetit, do t’i kalojë dhe një herë Ministrisë së Financave. Nga ana e tij, Kryeministri Sali Berisha pak më herët kërkoi bashkëpunimin e opozitës për reformën në drejtësi dhe në mënyrë të veçantë për ligjin e ri të prokurorisë. Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave, z. Berisha bëri të qartë se për këtë ligj do të merret edhe mendimi i grupeve të interesit, ndërsa e cilësoi si thelbësor bashkëpunimin dhe konsensusin e opozitës. "Shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje opozitës që këtë draft ta shqyrtojë, të bëjë vërejtjet e veta, të paraqesë mendimet, sugjerimet dhe ta miratojmë bashkërisht. Pavarësisht nga përpjekjet për politizimin e këtij institucioni, opozita, aq sa qeveria, duhet të jetë e interesuar për një institucion të pavarur akuze në variantin për të cilin ka një dakordësi të plotë", - tha z. Berisha. Sipas tij, reforma në drejtësi ka bërë një progres të pamohueshëm, ndërkohë që kërkoi bashkëpunimin me opozitën. Lidhur me projektligjin e rëndësishëm të prokurorisë, Kryeministri Berisha u shpreh se ai është fryt i një bashkëpunimi të gjatë shumëmujor midis institucioneve dhe një ekspertize të shkëlqyer të dy misioneve që asistojnë institucionet e vendit në fushën e ligjeve, euroagjencitë dhe OPDAT. Duke falënderuar të gjithë ata që kontribuuan për hartimin e tij, në mënyrë të veçantë ministrin Alibeaj dhe stafin e tij, Kryeministri Berisha i bëri thirrje opozitës që ta shqyrtojë këtë draft, duke paraqitur të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet, për të kaluar më pas në një miratim të përbashkët. Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se “ky model që është në vazhdimësinë e një modeli që ka ekzistuar këtu prej 18 vitesh, pavarësisht nga ndryshimet e qeverive, krijon të gjitha garancitë e pavarësisë së tij nga ekzekutivi sikundër të gjitha garancitë e varësisë së tij nga ligji, e përgjegjshmërisë së tij para ligjit. Shpresoj që opozita të shohë në këtë institucion domosdoshmërinë e pavarësisë dhe funksionimit të tij, sipas ligjit, si interesi më i mirë i opozitës, qeverisë dhe shoqërisë shqiptare. Ndaj dhe unë shpresoj që të arrijmë në një lloj mirëkuptimi”.