E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, Spiriç: Të forcohen marrëdhëniet ekonomike

Niveli i mirë i marrëdhënieve politike duhet patjetër të pasqyrohet edhe në rritjen e marrëdhënieve ekonomike-tregtare dhe forcimin e bashkëpunimit në fusha si energjitika, siguria kufitare, kontrolli doganor dhe siguria e ushqimeve të tregtuara. Për këtë ranë dje dakord Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Kryeministri i Bosnje-Hercegovinës, Nikola Spiriç, gjatë takimit të zhvilluar në Pallatin e Brigadave. Z. Spiriç theksoi se me hapjen e ambasadave respektive dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të duhura, shumë shpejt do të bëhet i mundur edhe lehtësimi ose liberalizimi i plotë i regjimit të vizave mes dy vendeve tona, që do të mundësonte jo vetëm lëvizjen e lirë të njerëzve, por edhe rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike. Gjithashtu, kjo do t’i shërbente edhe përmbushjes së objektivave të përbashkëta që ndajnë dy vendet tona: atij të integrimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe hyrjes në Bashkimin Evropian. Kryetari i shtetit vuri në dukje se vendi ynë do të vazhdojë të japë kontributin e tij në kuadër të pjesëmarrjes ndërkombëtare ushtarake në Bosnje-Hercegovinë me praninë e trupave paqeruajtëse dhe dymbëdhjetë ekspertëve çminues atje. Sa i përket situatës aktuale në rajonin e Ballkanit, Presidenti i Republikës u shpreh se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka krijuar një realitet të ri në rajonin tonë dhe kjo i shërben veçse rritjes dhe garantimit të një paqeje dhe qëndrueshmërie afatgjatë në Ballkan. “Shqipëria është e bindur se misioni i BE-së, EULEX, i cili filloi dje më datën 9 dhjetor, duhet të shtrihet shpejt në gjithë territorin e Kosovës, në mënyrë të njëtrajtshme dhe uniforme”, - vuri në dukje Presidenti Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›