Flamur Noka: Deklarata e popullorëve, ultimatum Ramës të respektojë ligjet, sulmet e tij si praktika bllokmene

Deklarata e plotë për shtyp e deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka:
Jam këtu për të përshëndetur deklaratën e bërë nga PPE, Presidenti Martens dhe koordinatorët e grupit të ministrave të jashtëm: Franco Frattini dhe Elmar Brok, në mbështetje të Shqipërisë dhe të Qeverisë së kryeministrit Sali Berisha. Në deklaratën e tyre, ata përshëndesin progresin e bërë nga Shqipëria. Kjo deklaratë erdhi menjëherë pas vendimit të votuar unanimisht nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian për heqjen e vizave. Liderët europianë popullor i kërkojnë zotit Rama të respektojë Kushtetutën e të veprojë konform shtetit ligjor, duke i kujtuar se ky është kriter i Kopenhagenit. Liderët e mëdhej europianë theksojnë se “Qeveria shqiptare ka bërë një numër të madh koncesionesh për të plotësuar kërkesat e opozitës. Kryeministri Berisha u ka ofruar atyre shumicën dhe kryesimin e një komisioni hetimor parlamentar. Por sa më shumë koncensione bënte Berisha, theksojnë liderët europianë, Edi Rama bënte vazhdimisht kërkesa të reja, të cilat bien në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin zgjedhor dhe vendimet e mëparshme gjyqësore”. Liderët europianë në deklaratën e tyre thonë se “zoti Rama nuk është i interesuar për një marrëveshje në respekt të shtetit ligjor dhe të Kushtetutës”. I shprehim mirënjohjen këtyre politikanëve të mëdhej të Europës për mbështejen që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë për heqjen e vizave dhe për proceset integruese. I kërkojmë zotit Rama të vërë vath në vesh çfarë i kërkon Europa dhe i themi zotit Edvin se është i turpshëm sulmi dëshpërues që po organizon ndaj këtyre liderëve europianë, përmes zëdhënësve të neverishëm rreth tij. Zoti Rama, ke dështuar në praktikat bllokuese prej bllokmeni dhe dukesh gjithmonë e më qesharak kur sulmon Europën dhe Perëndimin.
...