E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata e të ardhurave, ekspertët: “Diskriminon shtresën e mesme”



Ekspertët e ekonomisë kanë komentuar vendimin më të fundit të qeverisë për tatimin mbi të ardhurat. Ata thonë se drafti i qeverisë që detyron individët të deklarojnë të ardhurat, është i mangët në pjesën e shpenzimeve që njeh si të zbritshme. “Nuk njihen shpenzimet për investime qe bëjnë qytetarët, nuk njihen investimet për industri me rëndësi”,- thotë Sotiraq Dhamo, pedagog në Fakultetin e Ekonomisë. Ndërkohë një tjetër ekspert Gjergj Filipi, nga instituti “Axhenda” thotë se, qëllimi i deklaratës së të ardhurave në vendet e zhvilluara është lehtësimi i individëve dhe nxitja e tyre për të deklaruar, por në rastin e Shqipërisë qeveria ka tjetër qëllim. “Drafti njeh disa shpenzime të kufizuara për shkollimin dhe shpenzimet për shëndetësinë, por edhe këto i përfitojnë vetëm ata individë që i kanë të ardhurat më pak se 800 mijë lekë në vit”, - ka deklaruar Filipi. Një tjetër shqetësim, mbetet edhe aftësia e administratës tatimore për ta zbatuar ligjin e deklarimit të të ardhurave, i cili sipas ekspertëve e ndërlikon sistemin tatimor.

“Raiffeisen Bank” nderohet me çmimin “banka më e mirë në Shqipëri”

“Euromoney”, revista lider në botë për bankingun global dhe tregjet financiare e të kapitalit, ka zgjedhur “Raiffeisen Bank” në Shqipëri si bankën më të mirë në vend për të gjashtin vit radhazi. Banka u ble nga “Raiffeisen International” në vitin 2004 dhe është banka më e madhe në Shqipëri me një bilanc total prej afro 2 miliardë eurosh. “Në vitin 2009 ‘Raiffeisen Bank’ forcoi pozicionin e saj të liderit në treg nëpërmjet një kombinimi të rritjes organike dhe shkurtimit të kostove”,- thotë revista prestigjioze “Euromoney”. “Ne jemi shumë krenarë që revista e mirënjohur ‘Euromoney’ ka zgjedhur përsëri ‘Raiffeisen Bank’ si bankën më të mirë në vend dhe kemi shumë besim që do të vazhdojmë të rritemi dhe të përballemi me sfidat e të ardhmes ashtu siç kemi bërë deri tani. ‘Raiffeisen Bank’ në Shqipëri ka treguar rritje gjatë vitit 2009 pavarësisht krizës ekonomike dhe vazhdon të jetë në vend të parë në të gjithë treguesit kryesorë të performancës”,- tha Oliver J. Whittle, Drejtor Ekzekutiv i “Raiffeisen Bank” në Shqipëri.

16 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›