Paditë për pronat, 2000 dosje vetëm në gjashtë mujorin e parë
Laureta Rryçi
Në Gjykatën e Tiranës vetëm gjatë gjashtë mujorit të parë janë depozituar rreth dy mijë padi për çështjen e pronës. Shifrat tregojnë për një bum kërkesash, ku me kalimin e kohës konflikti i pronës sa vjen dhe rritet. Sipas burimeve pranë kësaj Gjykate, rreth 1500 padi kanë të bëjnë me rastet kur qytetari kërkon shfuqizimin e vendimit nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Hipoteka apo vendimet e qeverisë mbi shpronësimet. Ndërsa pjesa tjetër e padive ka të bëjë me rastet kur qytetari i drejtohet Gjykatës për të marrë një vërtetim pronësie, kur ka të nevojshme saktësimin e kufijve ose për raste kur është në konflikt civil me një qytetar tjetër. Gjyqtarët shpjegojnë se të gjitha këto padi zgjasin për muaj me radhë, dhe nuk përbëjnë kosto vetëm për ata që hapin një proces të tillë. Sipas tyre, çdo ditë rritet numri i dosjeve që u takon me short për të gjykuar vetëm për çështjet e pronësisë.
Procesi
Vitet e fundit, dhjetëra padi në Gjykatë kanë si palë në proceset civile persona që kërkojnë të rifitojnë të drejtën e pronës dhe, nga ana tjetër, përfaqësues të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Institucioni i ngritur me vendim të Këshillit të Ministrave gjatë këtyre viteve ka rrëzuar dhjetëra kërkesa të qytetarëve për t’u njohur si pronarë mbi sipërfaqe të caktuara toke. Mirëpo këto vendime, pas ankimimit në gjykatë, janë shfuqizuar thuajse tërësisht. Në këtë mënyrë duket se qytetarët kanë gjetur rrugën e duhur ligjore për të mos humbur betejën për të rifituar titullin “pronar i ligjshëm”. Por, kjo përplasje shkon deri në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kryeregjistruesi, në këto raste, është i detyruar të pezullojë përkohësisht regjistrimin e pronës së paluajtshme derisa të bëhet ballafaqimi i vendimeve mes AKKP-së dhe gjykatës. Gjithsesi, sipas legjislacionit në fuqi, vendimet e gjykatës janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha institucionet shtetërore, në këtë rast nga zyrat e regjistrimit. Statistikat tregojnë se AKKP-ja ka pasur konflikte gjyqësore po prej vendimeve të saj edhe me institucione të pushtetit vendor. Këto të fundit kanë ngritur pretendimin se po jepen sipërfaqe që nga AKKP-ja janë cilësuar si të lira, por në të vërtetë janë në juridiksionin e tyre. Në këto raste, sërish gjykata ka dhënë verdiktin e saj duke shfuqizuar vendimin e AKKP-së. Sipas legjislacionit, kur qytetarët nuk janë dakord me vendimin e AKKP-së qendrore, kanë të drejtë të bëjnë ankimim vetëm pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Ky ankimim cilësohet i vlefshëm vetëm nëse bëhet brenda 30 ditëve nga njoftimi i vendimit të AKKP-së. Pikërisht këtë përcaktim ligjor kanë shfrytëzuar 1 mijë qytetarët që i janë drejtuar gjykatës. Burime pranë kësaj gjykate shpjegojnë se padi me objekt shfuqizimin e vendimit të AKKP-së depozitohen thuajse çdo ditë. Sipas të dhënave zyrtare pranë kësaj gjykate, procese të tilla civile zgjasin 460 ditë vetëm në shkallën e parë. Më pas, vendimi, që të marrë formën e prerë, duhet të kalojë të gjitha shkallët e Gjyqësorit, që me një kalkulim të përafërt duhen rreth tre vjet.
Regjistrimi
Pronarët që kanë mundur të fitojnë pronën e tyre falë një vendimi të formës së prerë duhet të ndjekin disa procedura për të kryer regjistrimin në Hipotekë. Sipas specialistëve pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për regjistrimet e vendimit të gjykatës për fitim pronësie duhen 30 ditë. Qytetari që ka fituar procesin civil në të tria shkallët e Gjyqësorit duhet të dorëzojë vendimin e formës së prerë dhe plan-rilevimin që jep të dhëna për pronën në fjalë. Dokumenti i parë merret në gjykatë, ndërsa i dyti duhet të firmoset nga një topograf me licencë. Të njëjtat burime shpjegojnë se gjatë viteve të fundit, një pjesë e konsiderueshme e pronarëve, për të marrë aktin e pronësisë më parë iu është dashur t’i drejtohen gjykatës. Këtë fakt e tregon më së miri edhe shifra e lartë e dosjeve që gjykohen në një vit në gjykatat e vendit.
Box
Konflikti në gjyqësor, afati i zgjatjes së një procesi
Procesi civil që ka si objekt çështjen e pronësisë zgjat në gjykatë rreth 1200 ditë. Personi që merr përsipër të depozitojë një padi të tillë, përveç faktorit kohë, duhet të llogarisë dhe një kosto tjetër. Paditë për pronat përbëjnë në gjykatë numrin më të madh të dosjeve. Statistikat tregojnë se ky nuk është fenomen vetëm në Gjykatën e Tiranës, por edhe në gjykatat e tjera të vendit. Personi që kërkon të ndjekë rrugën ligjore për të fituar pronën që pretendon se i takon duhet të paguajë taksën e regjistrimit të padisë, shpenzimet gjyqësore, ekspertin që bën llogaritjen mbi sipërfaqen apo kufijtë, si dhe avokatin që do të ndjekë çështjen nga ana juridike. Secili nga këto elemente ka koston e tij dhe kryesisht në këto procese paguhen nga pala paditëse. Proceset civile rëndojnë më shumë në xhepat e qytetarëve për shkak se në këtë rast janë ata të interesuar për hapjen e një procesi gjyqësor. Në rastin konkret, paditë për pronësinë, që në momentin që regjistrohen, paguhet një shumë prej 3 mijë lekësh të rinj. Më pas paditësi paguan ekspertin që bën përllogaritjen si për sipërfaqen e pronës për të cilën bëhet fjalë, ashtu edhe për kufijtë. Sipas pagesave që bëhen në Gjykatën e Tiranës, një ekspert minimalisht paguhet me 20 mijë lekë. Por tarifat variojnë sipas sipërfaqes së tokës për të cilën paditësi pretendon se është e tija. Ka raste kur tarifa e ekspertit është edhe 80 mijë lekë të rinj, apo dhe më shumë. Ndërsa është paguar eksperti dhe gjykata del në një vendim në fund të procesit, sërish paditësi detyrohet të paguajë shpenzimet gjyqësore. Elementi tjetër i procesit që ka sërish një kosto është avokati. Mbrojtësi ligjor që argumenton të drejtat e klientit me terma juridikë ka tarifën në varësi të zgjatjes së proceseve. Juristët civilë që merren me këto dosje na tregojnë se minimumi për këto procese, në total tarifa shkon 2 mijë euro.
Box
Pronat, proceset vijojnë deri në Strasburg
Çështja e pronave vazhdon që nga viti 1991 e deri më sot të mbetet pa një ligj. Shumë qytetarë prej kohësh rendin nëpër gjykata për të rimarrë pronën që e kanë trashëguar nga paraardhësit e tyre. Madje, shumë prej tyre i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut për t'iu dhënë një zgjidhje. Çështjet që lidhen me pronat po bëhen dita-ditës çështje qendrore në Strasburg. Gjykata e të Drejtave të Njeriut ka komunikuar disa prej tyre, që do të thotë se i ka kërkuar shtetit shqiptar informacione të hollësishme rreth tyre dhe legjislacionit përkatës shqiptar. Në thelb kjo do të thotë se ato çështje që janë komunikuar janë në rendin e ditës të gjykatës e nuk janë rrëzuar si apriori të pabazuara. Çështjet që lidhen me pronat po bëhen dita-ditës çështje qendrore në Strasburg. Gjykata e të Drejtave të Njeriut ka komunikuar disa prej tyre dhe i ka kërkuar shtetit shqiptar informacione të hollësishme rreth tyre e legjislacionit përkatës shqiptar.
Regjistrim vendimi gjykate për fitim pronësie
Tarifa: 1500 lekë
Taksa e shërbimit: 300 lekë
Gjoba ditë/vonese: 150 lekë
Afati ligjor për paraqitje në ZVRPP: 30 ditë
Afati max. i procedurës: 30 ditë pune
16 Korrik 2010