Deklarata/Andis Harasani: “Në PS po vdes demokracia”

Deputeti Andis Harasani ishte më i ashpër në qëndrimet e tij lidhur me situatën politike në PS. Ai kritikoi linjën “Rama” të drejtimit të selisë rozë, duke deklaruar se po zvogëlon gjithnjë e më shumë demokracinë partiake.
“Tema madhore që shqetëson Shqipërinë në këto vite është se kemi 20 vite tranzicion që mbahemi peng nga dy parti që nuk kanë demokraci të brendshme. Fajtorë që Shqipëria qeveriset nga Berisha-Meta jemi vetëm ne, Partia Socialiste. PS të mos bëhet OJQ, që herë bojkoton, herë hyn në grevë urie. Bojkoti duhet hequr si praktikë, Parlamenti është fusha e betejës. Nuk mund të funksionojë një parti politike pa demokracinë e brendshme partiake dhe lirinë e të drejtës së shprehjes. Të eliminojmë të gjitha praktikat që synojnë të dëmtojnë Partinë Socialiste si dhe të largojnë gjithnjë e më shumë vendin nga aspiratat dhe standardet evropiane”, u shpreh deputeti socialist.
Andis Harasani njihet si një nga deputetët socialistë që kundërshton vijën “Rama” të drejtimit të PS-së, ndërsa në vazhdimësi ka ngritur shqetësimin se selia rozë po shkon drejt degradimit, për shkak të emërimeve politike të figurave jo profesionale dhe pa kontribute në PS. Një praktikë të tillë Edi Rama është duke e realizuar përmes shkrirjes së forumeve të PS si dhe zëvendësimin e figurave themeluese të saj me shpurën e 99-shave të Erjon Veliajt. Madje hipokrizia shkon edhe më tej, tek mbartja e përgjegjësive të dështimit të liderit nga të komanduarit e niveleve më të ulëta, siç ishte rasti i fundit i Besnik Barajt, i cili u dorëhoq nga kryetari i PS-së së Tiranës, ndërsa nuk ngurroi të marrë përsipër humbjen e Edi Ramës në kryeqytet.
Deputeti Harasani thekson se politika e ndjekur nga lidershipi i selisë rozë i ka sjellë të majtës humbje pas humbje duke e lënë atë për një kohë të gjatë në opozitë.