E Diel, 1 Nëntor 2026

Halli me një Greqi që s’e shpëton as falimentimi

09-10-2011 / Nju Jork Tajms

Evropa ka pasur të drejtë që në shkëmbim të paketës së ndihmave i kërkoi Greqisë të kryente reforma të dhimbshme strukturore në mënyrë që ta bëjë ekonominë më konkurruese dhe në gjendje të gjenerojë të ardhura për të paguar borxhet gjigante të vendit. Pa këtë presion, Athina me shumë gjasa kurrë nuk do të ishte në gjendje të kapërcente rezistencën e ashpër të sindikatave të sektorit publik, profesionistëve, të pasurve dhe të të gjithëve me interesa speciale që ishin të vendosur për të vijuar biznesin si zakonisht. Por, Evropa ka qenë këmbë e krye gabim kur kërkoi që Greqia në të njëjtën kohë të imponojë taksa të reja dhe shkurtime të mëdha të shpenzimeve sociale, të cilat zgjasin dhe përkeqësojnë recensionin ekonomik. Kjo do ta bëjë të pamundur për shtetin që të rikthehet në rrugën e tij, pa borxhe. Me perspektivën e zymtë të Greqisë, e cila kërcënon bilancet e bankave anekënd Evropës, Banka Qendrore Evropiane (BQE) tha të enjten se do të shtojë likuiditet të ri në sistemin bankar të kontinentit. Por plani i saj për të blerë 53.6 miliardë dollarë bonde speciale të lëshuara nga bankat dhe institucionet e tjera financiare nuk do të jetë i mjaftueshëm. Liderët evropianë duhet të heqin dorë nga politikat shtrënguese që pengojnë rritjen, jo vetëm në Greqi, por edhe në ekonomi më të forta siç është ajo e Gjermanisë. Qeveria greke bëri me dije se nuk do të arrijë dot objektivat e shkurtimit të deficitit për këtë vit, objektiva të cilat ia ka premtuar Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Evropa dhe FMN-ja po punojnë për vendosjen e kushteve të reja për paketën tjetër të ndihmave (kredisë). Nëse ndihma e mëtejshme kushtëzohet me një bashkësi politikash ekonomike jo koherente të ngjashme më të parat, Greqia përfundimisht do të detyrohet të falimentojë duke krijuar një gropë edhe më të thellë në bilancet e bankave evropiane si dhe duke shtuar frikën se edhe vende të tjera me borxhe të mëdha mund të falimentojnë së shpejti. Kërkesat për masa më të rrepta kursimi duhet të shtyhen, në mënyrë që reformave t’u jepet kohë të kryejnë funksionin e tyre. Me qeveritë evropiane në lëvizje për të rikapitalizuar bankat e tyre, kreditorëve të bankave private në Greqi duhet t’u bëhet presion që të pranojnë të bëjnë marrëveshje më të thella ristrukturimi mbi borxhet ekzistuese të Greqisë. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Evropa duhet të vazhdojnë ta shtyjnë Athinën për liberalizimin e mëtejshëm të tregjeve të punës profesionale, për ofrimin e shërbimeve publike me kosto efikase dhe për një sistem taksash me bazë më të gjerë dhe të zbatueshëm në mënyrë uniforme. Po ashtu, ata duhet të ushtrojnë presion mbi Greqinë që të eliminojë dhjetëra mijëra vende pune të panevojshme në sektorin publik - çka do të çlironte para të cilat mund të përdoren për nxitjen e rritjes ekonomike. Për dekada të tëra, partitë kryesore politike të Greqisë në mënyrë të pakujdesshme kanë rritur pagat publike për të shpërblyer mbështetësit dhe kanë mbajtur artificialisht papunësinë në nivele të ulëta. Kjo praktikë shtyu Greqinë thellë e më thellë në borxhe, tani duhet të bëhet e kundërta. Paketat e ardhshme të ndihmave (kreditë) duhet po ashtu të kushtëzohen me kryerjen e reformave nga qeveria greke, dhe jo vetëm me fitimin e miratimit të Parlamentit. Parandalimi i falimentimit të Greqisë kërkon reforma rrënjësore por gjithashtu edhe hapësirë për frymëmarrje për të lejuar rimëkëmbjen dhe rritjen ekonomike.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›