E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi i Malajt: “Edi Rama po manipulon delegatët e kongresit”

09-10-2011 / Gazeta 55

S’ka më shpresa se kongresi i 5 nëntorit do të ofrojë një analizë të humbjeve të njëpasnjëshme të socialistëve dhe do të ndalë politikën e bojkotit të reformave. Kritiku kryesor i kryesocialistit Rama, deputeti Arben Malaj ka vendosur në Vlorë notën e fushatës parakongresuale, duke dëshmuar se njerëzit e Edi Ramës po trukojnë procesin e zgjedhjes së delegatëve që do të votojnë në kongres për lidershipin e ri të partisë

Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj, jep alarmin për konjukturat politike të Edi Ramës në prag të mbajtjes së punimeve të Kongresit të PS-së, më 5 nëntor të këtij viti. Deputeti i qarkut të Vlorës, zhvilloi dje një bashkëbisedim në qytetin bregdetar me të rinj dhe të reja, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe pedagogë.
Malaj ndau me pjesëmarrësit idetë e tij mbi “Modernizimin e partive politike” duke synuar një angazhim sa më të gjerë të opinionit publik rreth sfidave të qytetit dhe vendit tonë. Në qytetin e tij Malaj vuri theksin tek domosdoshmëria dhe dobishmëria publike e kufizimit të pushteteve të tej zgjatura e të pakufizuara në pak individë në strukturat politike dhe qeverisëse, në nivel vendor dhe qendror.
Përgjatë aktivitetit, nga prononcimet e deputetit Malaj mbi zhvillimet politike mund të veçohen disa mesazhe kryesore mbi çështjet më aktuale të diskutuara për situatën e rënduar që po kalon Partia Socialiste dhe vendi.
“Aspiratat që ka vendi dhe shoqëria shqiptare sot na imponojnë që të rrisim hapësirat për konkurrim në forume, të rrisim meritokracinë në karriere, të ndalojmë përqendrimin e pushtetit në pak individë, të kufizojmë pushtetin e tejzgjatur të disa të zgjedhurve në drejtimin e partisë dhe në qeverisjen e vendit. Të luftohet krahinizmi dhe nepotizmi. I gjithë ky proces duhet të nxisë një angazhim sa më të plotë të opinionit publik, duhet të rrisë ndërgjegjësimin e të rinjve, intelektualëve dhe grupeve sociale kudo në vendin tonë. Asnjë deputet nuk duhet e nuk ka arsye të jetë kryetar partie apo drejtues politik në zonën e tij. Partitë politike kanë shumë njerëz të përkushtuar të cilët meritojnë të nxiten për t’u bërë pjesë e sfidave të tyre. Përqendrimi i pushteteve politike dhe ekonomike do të dëmtojë rëndë të ardhmen tonë. Nëse nuk nxitet pjesëmarrja e publikut, nëse nuk zgjerohen hapësirat për pjesëmarrje e kontribute, sfidat tona do të jenë të vështira. Korrupsioni po rritet, risku i kapjes së shtetit dhe partive politike është rritur. Zhgënjimi nga dështimet dhe pasiguria përballë të ardhmes, duhen ngadhënjuar tani dhe pa vonesë. Kjo imponon jo vetëm daljen nga kriza por edhe një model të ri politik. Edhe pse jemi Republikë Parlamentare, ju zgjidhni me votë të drejtpërdrejtë vetëm kryetarët e komunave dhe bashkive. Së bashku duhet të ndalim fenomenin negativ të cikleve të mbyllura, ku të zgjedhurit në qeverisjen vendore, kryetarët e bashkive dhe komunave,  kërkojnë të kontrollojnë e kalkulojnë zhvillimet politike thjeshtë për t’u rizgjedhur. Gjithçka është një risk i shtuar i aleancave negative në dëm të interesave të votuesve. Punësimi bëhet në funksion të rizgjedhjes, kontrolli biznesit në funksion të rizgjedhjes, zhvillimet në partitë politike në funksion të rizgjedhjes së të njëjtëve individë, kjo i kufizon, i ndrydh dhe i largon kontributet e reja pozitive”, u shpreh Malaj.
Gjatë fjalës së tij, ai tha se zërat kundër në PS nuk kanë qenë dakord për bllokimin e rrugëve dhe djegien e gomave një vit më parë.
Sipas tij, reagimi i selisë rozë ishte se për tri ditë, Kryeministri Berisha do të rrëzohej nga pushteti dhe siç edhe dihet kjo lloj propagande ishte një ide qëllim plotë e Edi Ramës, për arritjen e synimeve të tij politike.
“Nuk kemi qenë dakord me protestat në urën e Mifolit dhe duke djegur goma. Protestat bëhen në sheshet kryesore, por dhe atëherë jo për këtë qëllim, por për çështje të tjera, ekonomike etj. Kur ne ishim zë kundër në PS, na thoshin ‘rrini urtë se për tri ditë do të rrëzojmë Berishën nga pushteti’. Ndenjëm urtë për të parë se deri ku do të arrinin. Doli ajo që thoshim dhe parashikonim ne zëri ndryshe. Berisha jo që nuk u rrëzua, po mori më shumë”, tha ai.
I pranishëm në takim ishte Andis Harasani, deputet dhe Sekretar për Programin ne Partinë Socialiste, i cili u bë gjithashtu pjesë e bashkëbisedimit të Arben Malajt nëpër Shqipëri.
Pas takimit të zgjeruar të Vlorës është planifikuar që turi bashkëbisedues të mbyllet në kryeqytet, ku së bashku me studentë do të behet diskutimi përmbledhës i tezave të trajtuara në të gjitha takimit e turit kombëtar mbi “Modernizimin e partive politike ne shërbim të së ardhmes së vendit”.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›