Arsyet pse Edvini po shpik funksionin e “administratorit të partisë”
Ndryshimet në statutin e PS parashikojnë krijimin e funksionit të administratorit të partisë, tregues i synimit të Edi Ramës për ta qeverisur të majtën si një strukturë private, si një ndërmarrje biznesi, që t’i garantojë hipotekimin e partisë, jo veç si anëtarësi, por edhe për pronat e patundshme, selinë, godinat nëpër rrethe, financimet e donacionet e jashtme, apo edhe kuotizacionet. Me “Administratorin”, Edvini garanton rishpërndarjen e thesarit të partisë tek njerëzit që kanë ardhur nga bashkia dhe janë caktuar si rojet e ndërmarrjes së tij private
Për sa kohë që Edvin Rama drejtonte njëkohësisht edhe bashkinë e Tiranës edhe PS-në, ishte e paqartë cili ishte kufiri që të të bënte të mundur të dalloje këtë ndarje. Por, që prej humbjes së bashkisë nuk ka më dyshime. Falë përvojës më të gjatë të tij në krye të bashkisë, saktësisht drejtimit të saj nga pozitat e konsiderimit si “pronë private”, duket modelin e drejtimit të saj ai po e zhvendos në parti. Kjo po aq dukshëm “bie në sy” tashmë kur në prag të kongresit të 5 nëntorit Edvin Rama po tenton të organizojë PS-në mbi bazën e strukturave “të drejtimit privat”, sipas të cilave kishte organizuar dhe drejtonte bashkinë e Tiranës. “Gjetja” më e fundit është “konvertimi” i postit të “administratorit të bashkisë” me atë të “administratorit të partisë”.
Në fazën e hartimit të një projekt-statusi të mundshëm për tu miratuar në kongresin e 5 nëntorit, rregullimet e reja statusore parashikojnë krijimin e funksionit të “administratorit të partisë”.
Statuti aktual i PS-së, në Nenin 27 të tij, “Kryesia e PSSH”, pika 15, parashikon që kryesia “emëron Kryefinancierin dhe Komisionin Qendror të Revizorëve”.
Po kështu i njëjti statut i PS në Nenin 49, “Përdorimi i burimeve financiare e materiale dhe kontrolli i tyre”, pika 8 e tij, parashikon që “Detyrat e Kryefinancierit, të financierëve dhe të Komisionit të Revizorëve në qendër e në nivel vendor përcaktohen me rregullore të veçantë që miratohet nga Asambleja Kombëtare e PSSH”.
Sikurse dukshëm bie në sy, me kaq sa parashikon statuti i PS-së, Edvin Rama, të paktën ligjërisht (jo formalisht), nuk ka aktualisht asgjë në dorë as për të zgjedhur Kryefinancierin dhe Komisionin Qendror të Revizorëve dhe kreun e tij, por as për të përcaktuar detyrat e tyre.
Për më tepër, i njohur dhe i sprovuar se ai nuk i njeh strukturat e partisë, duke demonstruar kështu mosbesim ndaj tyre, Edvin Rama po bën atë tjetrën, dublimin në rastin më të mirë dhe zhveshjen nga kompetencat, në rastin më të keq..., sigurisht me njerëz të besuar dhe po aq të sprovuar.
Duke ju rikthyer jo aq idesë, se sa mënyrës se si Edvin Rama e konsideronte dikur bashkinë si “pronë private” dhe tashmë po e konsideron edhe PS-në me këtë “status”, përpjekjet e tij për dublime postesh, nuk të lënë as mëdyshjen më të vogël.
“Ëndrra në sirtar” e Edvin Ramës për momentin, duket se është që pas kongresit partia që ai drejton, të jetë krejt private, si një ndërmarrje biznesi.
Në funksion të kësaj, ai ka nisur krijimin e strukturave “ligjore”, të cilat midis të tjerave do t’i garantojë hipotekimin e partisë. Në këtë rast termi “hipotekim” merr një rëndësi të veçantë, sepse nën kuptimin e parë që mbart ky term, nuk përfshihet vetëm anëtarësia, por edhe pronat e patundshme, selitë, godinat, financat, kuotizacionet, donacione etj..., etj ..., pra një “thesar” jo i vogël.
Duke ju kthyer sërish metodës së Edvin Ramës sipas të cilës drejtonte bashkinë, ku në qendër qëndronin pazare interesash dhe ku shërbime të bashkisë konsideroheshin si burime të konsiderueshme financiare, e thënë ndryshe “thesare”, këto “thesare” të mundshme, në formë asetesh të PS-së shtojën përballë Edvin Ramës nevojën e “administrimit” të tyre. Në natyrën e punës, pjesë e përvojës së Edvin Ramës, që nga koha e drejtimit të bashki së Tiranës, lind pyetja..., “kush më mirë se kushdo mund ta bëjë rishpërndarja e ‘thesarit’ të partisë te njerëzit që kanë ardhur nga bashkia, e njohur ndryshe, si çelësi i ndërmarrjes private të Edvin Ramës...?”.
Natyrshëm përgjigja nuk të çon askund tjetër veçse te imponimi, sipas së cilës…, “askush tjetër, veçse ‘administratori i partisë’, sigurisht, i mbarsur edhe ky me përvojën nga bashkia”…