Ide/Për Maturën Shtetërore
Mjaft diskutime janë përhapur kohët e fundit në median vizive dhe asaj të shkruar lidhur me maturën shtetërore. Shkas për këtë u bë dekonspirimi i kopjimit nga disa nga disa nxënës në provimet e maturës. Këtë dukuri që mund ta quajmë “rast” apo “fenomen” kanë përshpejtuar ta politizojnë e ta bëjnë edhe më të madh se vetë fakti. Dikush e nënvlerëson fare dukurinë duke argumentuar se ka qenë një rast i veçantë. E vërtetë që mund të jenë pak raste kur është kopjuar, por ama kanë qenë mirë të organizuara, po aq mirë sa që i kanë shpëtuar edhe kontrollit të MASH nëpërmjet DAR në rrethe. Dhe kjo dukuri duhet bëhet objekt analize që nga DAR, MASH, e AVA. Aq më tepër duhet të parandalojmë me forcë këtë mendësi kopjimi shfaqur kohët e fundit. Të vendoset mbi baza të forta kontrolli sa nuk është bërë precedent dhe të kalojë në fenomen masiv. Në kahun tjetër shpejtohet të përbaltoset gjithë arsimi shqiptar. Duke marrë shkas nga këto raste, politikanë ose analistë të politizuar shpejtojnë të flasin për degradim të arsimit në Shqipëri, dështimi i maturës shtetërore, arsimi i korruptuar etj. Si guxojnë këto njerëz të politikës dhe të medias që me një të rënë të lapsit të hedhin poshtë të gjitha arritjet në arsimin shqiptar, mundin e 40 mijë mësuesve dhe profesorëve, mundin dhe djersën e 47 mijë maturantëve, angazhimin e qindra familjeve për një shkollim sa më të mirë dhe të vlefshëm të fëmijëve të tyre. Si mund të përgjithësohen me një ose disa raste kopjimi të gjitha shkallët e arsimit që nga ai parashkollor deri në arsimin e lartë. Është për të ardhur keq pse në këtë diskutim nuk janë përfshirë edhe intelektualë që punojnë në fushën e arsimit parauniversitar. Arritje të mëdha ka arsimi këto vitet e fundit, kurrikulat janë përmirësuar, teknologjia e re është bërë pjesë e pandashme e shkollave tona. Cilësia e nxënësve dhe e studentëve po vjen duke u rritur. A nuk janë këto njerëz të arsimuar që po na nderojnë kudo në botë në studimet universitare dhe pasuniveritare, në mastera e doktoratura. Dhe nuk janë pak. Janë me qindra nga e gjithë Shqipëria, në të gjitha degët e shkencës dhe të artit. Ku e kanë marrë arsimin bazë, arsimin e mesëm dhe të lartë? Këtu në vend. Si mund të ketë degraduar arsimi në tërësi? Po sa janë nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët që marrin pjesë në konkurse, olimpiada, projekte kombëtare, rajonale e ndërkombëtare dhe na nderojnë kudo në botë? Ku janë shkolluar këto? Në vendin tonë. Si mund të jetë shkatërruar arsimi me këtë elitë projektuesish, shkencëtarësh, doktorësh dhe artistësh që punojnë në Shqipëri dhe jashtë saj. Po kualifikimi dhe formimi i vazhdueshëm i mësuesve, ndërtesat e reja shkollore, pajisja e tyre me teknologjinë më të avancuar të kohës, përdorimi i internetit dhe i teknologjisë digjitale nga mbarë të rinjtë e të rejat a nuk flasin për arritje të arsimit? Gjërat duhen gjykuar me qetësi dhe realisht. Raste të kopjimit të nxënësve, raste të korruptimit të mësuesve apo pedagogëve nuk duhen përgjithësuar. Këto raste nuk duhet të përdoren nga metodistët e induksionit për të arritur në një deduksion të gabuar. Fluktuacione ka por tërësia nuk mund të cenohet. Nuk mund të prishim imazhin e diellit pse ai ka fluktuacione. A ka vend për të ndryshuar diçka në kuadër të reformës arsimore? Sigurisht që ka shumë. Italia p.sh. ka 50 vjet që flet për reformën arsimore. Por atje nuk thotë kush se sistemi arsimor ka degraduar. Po kështu Anglia bile edhe Amerika vazhdimisht merren me sistemin arsimor. Atëherë ne pse kemi frikë të reformojmë vit pas viti sistemin arsimor. Të ndryshojmë diçka për të përmirësuar arsimin në formë dhe në përmbajtje. Po do të çohet dikush e të flasë “e ndryshuan sepse dështuan”. Menjëherë fjala e keqe. Konkretisht çfarë mund të ndryshohet në maturën shtetërore. Vetë termi “maturë shtetërore është “mitizuar”. Ajo të jep degën që dëshiron në universitet, të jep të ardhmen mendojnë disa.Pse duhet ta ketë atribut shkolla e mesme që me tre provime (matematikë, gjuhë-letërsi, dhe me zgjedhje)të përcaktojë shkollimin e lartë? Aq shumë është abuzuar me maturën shtetërore saqë para disa vitesh edhe Ambasada Italiane kërkonte çertifikatën e provimeve me zgjedhje gjë që nuk i interesonte fare asaj. Dhe kjo ndodhte sepse i kishim dhënë atribute shumë shkollës së mesme dhe i kishim hequr çdo përgjegjësi dhe interesim shkollës së lartë për cilësinë e të pranuarve në vitin e parë. Dihet se para dhjetë vitesh ishte domosdoshmëri aplikimi i maturës shtetërore. Universitete shtetërore kishte pak, private shumë pak. Po tani ka shumë universitete shtetërore dhe private pothuajse në çdo qytet. Nxënësi mund të shkojë në secilin sistem që ka dëshirë varet nga aftësitë dhe nga mundësitë ekonomike. pse duhet të mbajmë përsëri të njëjtin rregull. Shkolla e mesme ka për detyrë të përgatisë nxënësit në mënyrë të tillë që të realizohen standardet mësimore të përcaktuara nga MASH, të zhvillojë provimet e detyruara që mund të jenë 2 ose 3 (gjuhë-letërsi, matematikë, ndoshta vitin e ardhshëm edhe anglisht) dhe nxënësi të pajiset me diplomën e shkollës së mesme. Provimet të bëhen në formën siç bëhen sot. Këtu mbaron misioni i shkollës së mesme. Provimet me zgjedhje të mos bëhen për të gjitha degët e universiteteve, por vetëm për disa degë të caktuara (mjekësi, juridik, arkitekturë, arte dhe fizkulturë), për të tjerat të jenë kuota të lira. Provimet me zgjedhje të jenë nën kujdesin e universiteteve përkatëse. Natyrisht teza e provimeve të hartohet nga AVA por menazhimi i provimit të jetë nën mbikëqyrjen e universitetit. Teza e provimit të jetë sipas preferencave të universitetit, p.sh. teza për mjekësinë të përmbajë pyetje në lëndët fizikë, kimi, biologji, teza e inxhinierisë në lëndët fizikë, teknologji, ekonomi apo matematikë sipas programit të shkollave të mesme,etj. Studenti nuk mund të konkurrojë në më shumë se dy degë në këto me kuota të limituara. Studenti me diplomën e shkollës së mesme plus rezultatin e provimit me zgjedhje fiton apo nuk fiton në degën e preferuar. Çështje të tjera teknike mund të dalin përsëri por jo të pamundura për zgjidhje. Këto ishin disa mendime personale, të tjerët mund t’i diskutojnë më gjerësisht.
Autori është mësues në shkollën e mesme “28 nëntori”, Shkodër