E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata/Gerti Bogdani: Rama të përgjigjet për akuzën e pastrimit të parave

21-06-2013 / Gazeta 55

Përmes një deklarate për shtyp, Gerti Bogdani, kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, solli në vëmendje botimin e mediave amerikane dhe atyre shqiptare se këtë javë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara është kërkuar një investigim nga ana e FBI-së mbi Edi Ramën për pastrim parash. Sipas Bogdanit, kongresi i SHBA ka kërkuar edhe nga Komisioni Zgjedhor Federal i Shteteve të Bashkuara që të investigohet Edi Rama për mundësinë e “konspiracionit për shmangie të ligjit elektoral të Shteteve të Bashkuara”. Duke paraqitur një sërë faktesh, Bogdani tha se Rama ka promovuar fotografinë me Presidentin Barack Obama. Por ai nuk e ka bërë këtë foto nëpërmjet një marrëdhënie personale. Sipas burimeve të mediave, Rama ka paguar për këtë foto në mënyrë ilegale. Duke kryer pastrim parash përmes një shqiptari që meret me limuzina dhe jeton në Shtetet e Bashkuara. Bogdani nënvizoi se, “pikërisht për këto arsye dhe këto fakte kongresi i SHBA ka kërkuar nga FBI  hetimin e Edi Ramës për pastrim parash dhe nga Komisioni Zgjedhor Federal i SHBA hetimin për një vepër tjetër penale thyerjen e hapur të kodit zgjedhorë të ShBA që ndalon shtetasit e huaj të ndërhyjnë direkt ose indirekt në çfarëdo llojë mënyre, kontribute dhurata, para apo vlera tjera në fushatën elektorale të SHBA-së”. Ai shtoi ndër të tjera se “Ndonëse Edi Ramës mund ti duket shaka pastrimi i parave; dukshëm, Kongresi i Shteteve të Bashkuara nuk është dakord me të. Dhe Rama mund ta konsiderojë të turpshme që dikush ka guximin ta pyesë mbi këtë çështje, por qytetarët e konsiderojnë të turpshme që Edi Rama vazhdon të fshihet nga ata dhe refuzon t’iu përgjigjet edhe pyetjeve më të thjeshta për aktivitetet e tij ilegale. Tashmë është koha që Edi Rama të përgjigjet”, përfundoi Bogdani.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›