Patozi: Çamët votojnë djathtas, Rama i pabesë
Nënkryetari i PD, takim me banorë të komunitetit çam, në Vlorë
Nënkryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht kandidat për deputet i kësaj force politike në Qarkun e Vlorës, Astrit Patozi, ka zhvilluar një takim me banorë të komunitetit çam, ku është folur për përpjekjet që ka bërë qeveria për zgjidhjen e problemit çam. Në këtë takim, ku ka qenë e pranishme edhe kandidatja Liljana Elmazi, që i përket këtij komuniteti, është shprehur mbështetja për Partinë Demokratike, ndërkohë që është vlerësuar fakti që lista e kësaj force politike në Vlorë ka edhe një vajzë nga Çamëria. Zoti Patozi në fjalën e tij veçoi këmbënguljen e këtij komuniteti për demokracinë, kontributin ndër vite, duke theksuar se ky komunitet ka qenë dhe mbetet një pjesë e fortë e domethënëse në radhët e demokratëve. Ai shtoi se Partia Demokratike ka dëshmuar në vite se ka kontribuar dhe e ka kauzë çështjen kombëtare, duke evidentuar se ka qenë kjo forcë e cila e para e ka ndërkombëtarizuar këtë çështje. Ai u ndal edhe tek rezoluta, e hartuar nga demokratët, duke përmendur votimin kundër dhe refuzimin e opozitës, ndërsa kërkoi nga ky komunitet të dëshmojë edhe në 23 qershor mbështetjen e treguar në vite ndaj Partisë Demokratike, duke votuar numrin 44. Kandidatja demokrate Liljana Elmazi ka falënderuar gjithë pjesëmarrësit, duke theksuar se ky komunitet i është e do të jetë mirënjohës Partisë Demokratike, për vëmendjen e treguar ndaj çështjes çame, ndaj promovimit të figurave të komunitetit çam dhe përfaqësimit të tyre. Ajo ka garantuar se ky komunitet në 23 qershor do të votojë Partinë Demokratike dhe numrin 44. Intelektualë dhe përfaqësues të komunitet çam kanë shprehur mirënjohjen ndaj Partisë Demokratike e kryeministrit Berisha, duke kujtuar nismat e jashtëzakonshme të kësaj qeverie në favor të çështjes çame, por edhe kujdesin për këtë komunitet, gjithmonë i përfaqësuar në parlament.