Deklarata/“Kryetari i PS u bashkua me komunistët grekë, për të bllokuar integrimin”

Edi Paloka: “Në 2013-n, Edi Rama do mburret vetëm se është dy metra i gjatë pa taka”
“...Ky është bllokimi i fundit që ai po u bën shqiptarëve, sepse në 2013-ën, në fushatë, i ka mbetur t’u mburret shqiptarëve, siç po bën në fakt edhe tani, vetëm se është 2 metra i gjatë dhe madje pa taka. Prandaj, 2013-ta do të jetë edhe viti kur shqiptarët do ta çojnë Ramën përfundimisht aty ku i takon...”
Partia Demokratike bën përgjegjëse opozitën, për vonesat e shkaktuara në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.
Në një deklaratë për mediat, deputeti demokrat, Edi Paloka akuzoi kreun e PS, Edi Rama se si pinjoll komunist u bashkua me komunistët grekë dhe bllokoi statusin e kandidatit, duke dalë kundër të ardhmes së Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Dëgjuam këto ditë në Parlamentin Evropian disa komunistë grekë, të cilët kundërshtonin me forcë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Një hap që sigurisht revolton çdo shqiptar. Por çfarë mund t’u kërkojmë ne komunistëve grekë, kur autori i vërtetë i bllokimit të shqiptarëve është një pinjoll i komunistëve, i bllokmenëve shqiptarë: Kryetari i ish-Partisë Komuniste Shqiptare, i cili edhe në 100-vjetorin e Pavarësisë u tregoi shqiptarëve se është kundër të ardhmes dhe interesave të tyre. Anti-shqiptar duket si një epitet i rëndë, por në fund gjithsecili nga ne gjykohet për veprimet e tij dhe Rama në gjithë këto vite nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka tentuar të bllokojë të ardhmen e shqiptarëve. Bllok kundër NATO-s, bllok kundër liberalizimit të vizave dhe tani për të tretën herë radhazi bllok për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian”, deklaroi Paloka.
Deputeti demokrat theksoi se kryesocialisti nuk po dëgjon as thirrjet e ndërkombëtarëve, të cilët i kërkuan votimin e 3 ligjeve.
Sipas tij, apeli i Brukselit ka qenë i qartë, për të lënë mënjanë interesat personale me qëllim që i gjithë faktori politik të punonte për integrimin.
“Për ditë me radhë shqiptarët, por edhe miqtë e mëdhenj të shqiptarëve deri te personalitetet më të larta të diplomacisë ndërkombëtare, i kërkuan Ramës të linte mënjanë interesat e tij dhe të punonte për interesat e shqiptarëve duke votuar tre ligje në Parlament si të vetmet kushte për realizimin e një hapi tjetër drejt integrimit. Por Rama, edhe këtë herë, vendosi të bashkohet me komunistët grekë kundër shqiptarëve. Dëmi që u solli shqiptarëve nuk janë vetëm ato miliona euro, që në një kohë të vështirë si kjo në fakt do t’u bënin mirë shqiptarëve dhe sidomos atyre për të cilët Rama bën sikur përgjërohet: shqiptarëve të varfër. Por, dëmi më i madh është ai moral. Dëmi i vërtetë është ai përballë miqve tanë evropianë që nuk mund ta konceptojnë sesi një kryetar partie shqiptare mund të ngrihet kundër interesave të popullit të tij”, tha ai.
Deputeti i PD, Edi Paloka deklaroi gjithashtu se Rama do e marrë ndëshkimin nga qytetarët në qershor të 2013-ës.
Sipas tij, kreut të socialistëve s’i ka mbetur gjë tjetër, veç të mburret me faktin se është 2 metra i gjatë. “Sidoqoftë Rama nuk mund të bllokojë natyrshmërinë dhe vendi i natyrshëm i shqiptarëve është Bashkimi Evropian. Ky është bllokimi i fundit që ai po u bën shqiptarëve, sepse në 2013-ën, në fushatë, i ka mbetur t’u mburret shqiptarëve, siç po bën në fakt edhe tani, vetëm se është 2 metra i gjatë dhe madje pa taka. Pasi për asgjë tjetër nuk mund t’u mburret apo t’u thotë shqiptarëve se ka interesa të përbashkëta me ta. Prandaj, 2013-ta do të jetë edhe viti kur shqiptarët do ta çojnë Ramën përfundimisht aty ku i takon”, përfundoi deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka.
...