Ilir Meta: Shqiptarët do të ndëshkojnë bllokuesit e integrimit

Kreu i LSI-së takime në Përmet dhe Tepelenë
Kryetari i LSI-së Ilir Meta ka deklaruar se më 23 qershor “shqiptarët do të dinë të vlerësojnë kontributin që jep gjithsecili për zhvillimin dhe progresin e vendit, do të dinë, edhe të ndëshkojnë pengesat që gjithsecili vendos në mënyrë të padrejtë ndaj vendit dhe gjithë qytetarëve tanë”.
Në një takim me strukturat e LSI-së në Përmet dhe Tepelenë, Meta u shpreh optimist se LSI-ja pas 23 qershorit do të ketë një përfaqësi shumë më të fuqishëm në Parlamentin e ardhshëm duke dhënë një rol shumë më të fuqishëm në qeverisjen e ardhshme.
“Vota e 23 qershorit për LSI-në është për një Shqipëri që ecën më shpejt. LSI është partia e njerëzve të lirë, që duan të ecin më shpejt në rrugën e integrimit. LSI do të vazhdojë të jetë një forcë e tillë e hapur. LSI është një forcë politike që u ka dhënë dhe u jep mundësi të gjithëve të kontribuojnë, por kurrsesi të shpërdorojnë besimin, të sillen si kapadai, të jenë arrogantë me anëtarët e LSI-së, me qytetarët sepse këto nuk janë në natyrën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. LSI është parti e njerëzve me vullnet, me pasion, me kërkesa ndaj vetes për të kontribuar për të ardhmen. Ne mbështetemi në mënyrë të veçantë tek rinia sepse duam që të ecim më shpejt. Ky nuk është thjesht slogani ynë, kjo është sfida jonë. Është sfida e të gjithë qytetarëve shqiptarë”, theksoi Meta.
Ndërkohë kreu i LSI Meta apeloi nga Përmeti që klasa politike të ngrihet në nivelin e qytetarëve, të mos bllokojë integrimin evropian të vendit për interesa të afërta elektorale. “Duhet me kohë ta kishim fituar statusin e vendit kandidat që prej vitesh. Është mungesë e vullnetit politik që ka sjellë këtë ngërç të pamerituar për Shqipërinë dhe shqiptarët. Shqiptarët treguan si askush tjetër që janë në nivelin e marrjes së përgjegjësive dhe të respektimit të marrëveshjeve që bëhen me Europën. E treguan më së miri me liberalizimin e vizave. Nëse sot ka shqetësime në Bashkimin Europian për qytetarët e vendeve të caktuara të Ballkanit që nuk i respektojnë këto detyrime, këto nuk janë për qytetarët shqiptarë, këto janë për qytetarët e vendeve të tjera. Është momenti që klasa politike të ngrihet në nivelin e qytetarëve tanë, të mos bllokojë integrimin evropian të vendit për interesa të afërta elektorale. Shqiptarët do të dinë të vlerësojnë kontributin që jep gjithsecili për zhvillimin dhe progresin e vendit, do të dinë, edhe të ndëshkojnë pengesat që gjithsecili vendos në mënyrë të padrejtë ndaj vendit dhe gjithë qytetarëve tanë”, theksoi Kryetari i LSI-së.
Gjithashtu në takimin që u zhvillua më herët në qytetin e Tepelenës, zoti Meta deklaroi se Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë politike e cila luan rol konstruktiv për çtensionimin e situatës politike.
Sipas tij ngërçi politik është një ndihmë për ata që nuk kanë çfarë t’i ofrojnë qytetarëve. “Ne jemi një forcë e cila nuk synon të kujdeset për qytetarët vetëm në periudhë zgjedhjesh por në mënyrë të vazhdueshme sepse jemi një forcë e cila e gjen fuqinë e saj tek shpirti i komunitetit dhe ky është një shpirt që sendërtohet çdo ditë në raporte konkrete dhe njerëzore. Lëvizja Socialiste për Integrim rritet çdo ditë dhe fuqizohet pikërisht sepse mban lidhje të tilla me njerëzit, pikërisht sepse krijon hapësira pa fund për gratë, për të rinte, për të gjithë sepse është një forcë politike që u jep mundësinë të gjithëve të tregojnë aftësitë dhe talentin e tyre, sepse është një forcë politike e cila në plan të parë vë interesat e vendit. këtë e ka bërë edhe kur ka qenë në opozitë, e bënë edhe sot në qeverisjen e vendit. Është një forcë që synon t’i kontribuojë stabilitetit të vendit dhe njëkohësisht të përshpejtojë të gjitha reformat, ato që lidhen me integrimin evropian por edhe ata që lidhen edhe me përmirësimin e standardeve të jetës së përditshme të të gjithë qytetarëve tanë”.
Sipas tij destinacioni i Shqipërisë, anëtarësimi i saj në BE, është i pashmangshëm.
“Ky është vullneti i gjithë qytetarëve të Tepelenës, i gjithë qytetarëve shqiptarë kudo ku ndodhen. Kjo do të ndodhë ndaj edhe fuqizimi i LSI-së forcon kërkesën për dialog, për bashkëpunim midis gjithë forcave politike në interes të vendit, në interes të qytetarëve. Nuk ka përse të humben projekte të rëndësishme, nuk ka përse të shpërdorohet koha që është më e çmuar se çdo gjë tjetër kur çdo gjë është e qartë se çfarë duhet bërë dhe si duhet bërë”, tha Meta.
Ashtu siç bëri edhe në takimin e zhvilluar në qytetin e Gjirokastrës, Lideri i LSI-së foli edhe mbi deklaratat e fundit nacionaliste të bërë nga politikanë të ndryshëm shqiptarë.
Ilir Meta tha se patriotizëm do të thotë të ngrihesh mbi interesat e tua për interesat e vendit dhe do të thotë të ndihmosh shpejtimin proceseve integruese të vendit sepse ky është interes i gjithë shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë rajonin.
Sipas tij avancimi i Shqipërisë drejt BE-së ndihmon dhe inkurajon edhe Kosovën, edhe shqiptarët kudo ku ndodhen për një pozitë më të mirë që do ta fitojnë nëpërmjet avancimit të këtyre procese në vendet ku ata jetojnë.
“Kjo është rruga që Shqipëria të ecë më shpejt. Patriotizmi tregohet me vepra dhe jo me fjalë. Sot kjo është sfida e Shqipërisë dhe e gjithë shqiptarëve që të miratojmë ligjet dhe t’i bëjmë më të mira, t’i zbatojmë ligjet në interes të qytetarëve, të përballojmë këtë situatë të vështirë ekonomike përmes bashkëpunimit dhe përmes ideve të reja, përmes hapjes së vendeve të punës, përmes bashkëpunimit të qeverisë qendrore me qeveritë vendore, bashkëpunimit me sipërmarrjen e lirë, dhe jo të krijojmë një konfliktuale tërësisht jashtë realitetit në të cilin ne jetojmë”, tha Meta.
Duke folur mbi suksesin e votimit elektronik në Konventën Kombëtare Zgjedhore të LSI-së, Meta deklaroi se çështja e zgjedhjeve dhe standardit të tyre është çështje e vullnetit politik.
“Ne zhvilluam një konventë ku shumë prej jush kanë qenë edhe delegatë por edhe të tjerë mund ta kenë ndjekur nga mediat. Për herë të parë në Shqipëri u zhvillua një votim elektronik i mbi 2 mijë delegatëve. Në momentin që votoi edhe delegati i fundit në prani të kamerave u printuan të gjithë rezultatet. Kjo ndodhi edhe më pas kur zgjodhëm nga Komiteti Drejtues Kombëtar Kryesinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. e përmenda këtë sepse dua të theksoj që edhe çështja e zgjedhjeve dhe standardit të tyre është çështje e vullnetit politik. E ardhmja jonë është në Bashkimin Europian dhe kjo kërkon nga ne të kemi një vizion të tillë por edhe të sillemi në mënyrë evropiane, jo vetëm me europianë por në radhë të parë me njëri-tjetrin”, përfundoi fjalën e tij në takimin me anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së në qytetin e Tepelenës, Lideri i LSI-së, Ilir Meta.
...