E Diel, 1 Nëntor 2026

“Deklaratat e Xhafës farsë, asgjë s’ka ndryshuar nga qëndrimi i mëparshëm”

Në emër të PD-së, deputeti Viktor Gumi hedh poshtë pretendimet e PS-së

Mazhoranca shprehet e gatshme për ngritjen e komisionit hetimor gjatë muajit gusht, por mjafton që PS dhe opozita në tërësi t’i përmbahen rekomandimeve ndërkombëtare, për transparencën e zgjedhjeve të 2009-ës

Partia Demokratike është shprehur dje e gatshme për të thërritur në një mbledhje emergjente, Kuvendin e Shqipërisë për të konfirmuar ngritjen e Komisionit Hetimor, kërkesë kjo e socialistëve, por mjafton që këta të fundit, të respektojnë rezolutën e Parlamentit Evropian. Deputeti demokrat dhe anëtari i komisionit parlamentar të ligjeve, Viktor Gumi, deklaroi gjatë një konference për shtyp se deputeti socialist Fatmir Xhafaj, nuk përcolli asgjë nga qëndrimi i mëparshëm i opozitës, për të mos hequr dorë nga prirjet antiligjore.
“Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka bërë propozimet e tij, në të cilat rikonfirmon në përgjithësi pozicionet e saj të mëparshme. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike konsideron se, në respekt të Kushtetutës, kodit zgjedhor dhe vendimeve të gjykatës, rezoluta mund dhe duhet të zbatohet në frymë e në germë. Rezoluta e PE-së është e qartë si kristali në kërkesat e saj”, u shpreh Gumi.
Ai vuri në dukje se deklaratat partiake të opozitës janë të paefektshme, porsa kohë ka një qëndrim zyrtar të ndërkombëtarëve, lidhur me çështjen e transparencës së zgjedhjeve të 2009-ës.
“çdo interpretim partiak është i padobishëm. Në zbatim të kërkesave të Rezolutës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është i gatshëm që në çdo kohë të thërrasë Kuvendin”, deklaroi më tej, deputeti i Partisë Demokratike, Viktor Gumi.
Reagimi i deputetit demokrat erdhi pas një deklarate të ligjvënësit socialist Fatmir Xhafa, i cili u shpreh se PS ka vullnet për kapërcimin e situatës aktuale politike, por kurrsesi nuk vuri në pah dhe as iu referua qoftë edhe për një moment rezolutës së Parlamentit Evropian, e cila është edhe në rolin e një udhërrëfyesi për arritjen e konsensusit. Por në kushtet e një mungese të theksuar konsensusi nga PS dhe opozita, Partia Demokratike dhe aleatët e saj janë të detyruar të vazhdojnë punën e tyre, duke shmangur dhe anashkaluar demagogjinë e Edi Ramës dhe kërcënimet e tij, për rinisje të protestave gjatë muajit shtator.

Fatmir Xhafaj, për makijazh mediatik
tjerr vetëm dokrrat e Edi Ramës
Deputeti socialist Fatmir Xhafa, komentoi dje negociatat mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, për gjetjen e një kompromisi, porsa i takon zgjidhjes së ngërçit politik. Sipas socialistëve, gjithçka në lidhje me opozitën është gati dhe se pritet një përgjigje e PD-së.
“Të dy të mandatuarit e forcave respektive politike, kanë biseduar dhe kanë arritur në një nivel të caktuar duke pranuar një sërë elementësh të rëndësishëm për ngritjen e komisionit hetimor dhe mënyrën se si do të funksionojë ky komision. Gjatë këtyre ditëve kemi bërë hapa konkrete, zoti Ruçi i ka ofruar zotit Patozi propozime konkrete. Se cilat janë ato, në ç’mënyrë janë dhe se si do të reagojë përfaqësuesi i PD, kjo nuk më takon mua ta them. Ne jemi gati që nëse edhe sot kërkohet ta mbledhë Parlamentin, për këtë duhet parlamenti të zgjidhë krizën, ne jemi gati ta votojmë, të fillojë punën komisioni hetimor dhe në kushtet e këtij sezoni të nxehte vere”, u shpreh socialisti Fatmir Xhafaj. Ligjvënësi opozitar, nuk komenton qëndrimin e partisë së tij dhe as nuk prek për asnjë moment rekomandimet e rezolutës së Parlamentit Evropian.
Kësisoj, socialistët përveç komenteve mediatike, janë të pafuqishëm për ndërmarrjen e veprimeve konkrete, çka do të sillte kapërcimin e ngërçit politik dhe nënshkrimin e një marrëveshje dypalëshe PD-PS, për hetimin e zgjedhjeve në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Sekretari ligjor i selisë rozë, thjesht deklaroi një citat të shkruar dhe certifikuar nga Edi Rama. Në këto kushte, shmangia e përgjegjësisë dhe atashimi i akuzave tek pala kundërshtare, është perspektiva politike e linjës së Edi Ramës dhe xhaketave të vjetra Ruçi, Dokle dhe Xhafa pa harruar dhe pinjollët e nomenklaturës së bllokut. Kësisoj, Partia Socialiste s’ka asnjë ide, drejtim apo strategji për t’i propozuar mazhorancës rrugë-zgjidhjen e ngërçit politik, veç deklaratave dhe sulmeve me prapavijë politike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›