E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pavarësia e Kosovës çështje e mbyllur - çdo iniciativë e njëanshme, e papranueshme”

Deklaron zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta

“çdo iniciativë e njëanshme e cila synon të vërë në diskutim pikërisht autoritetin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, do të ishte krejtësisht e papranueshme, por njëkohësisht e dëmshme për stabilitetin dhe paqen në rajonin tonë, aq më tepër nëse kjo do të vinte nga Serbia, vendi i cili i kërkoi mendimin Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila atëherë u shpreh që do të respektonte çdo vendim të kësaj gjykate”, u shpreh dje para gazetarëve zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta, duke komentuar zhvillimet dhe debatet e fundit ndërkombëtare pas vendimit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me pavarësinë e Kosovës.
“Unë theksoj se është shumë e rëndësishme që pas këtij vendimi të shikohet përpara. Dua të rikonfirmoj se për ne çështja e pavarësisë së Kosovës dhe statusit të saj, por edhe që i takon së kaluarës. Ndërsa bashkëpunimi midis Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm, por për çështje të një rëndësie dhe karakteri praktik në interes të qytetarëve, por edhe në interes të integrimit evropian të të dyja vendeve”, shtoi më tej Meta, duke ju përgjigjur edhe interesimit të gazetarëve për komentet e mediave serbe dhe për qëndrimin e palës shqiptare.
“Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë kanë njohur një progres të vlerësuar si nga BE, SHBA e faktorë të tjerë, në interes të paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë, por dhe të perspektivës së përbashkët evropiane. Gjatë kësaj periudhe ka pasur shkëmbime vizitash dhe marrëdhëniet bilaterale kanë ecur në mënyrë të vazhdueshme. Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë vendet fqinje dhe me të gjithë vendet e rajonit. Kjo është politika rajonale e Shqipërisë, e ndërtuar me vullnetin e mirë, e vendosur për të pasur marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet. Natyrisht ne kemi treguar vullnetin për marrëdhënie sa më të mira edhe me Serbinë, pavarësisht nga mospajtimet thelbësore që kemi sikurse është çështja e pavarësisë dhe e statusit të Kosovës. Por ka dhe shumë interesa të tjera të përbashkëta që kanë të bëjnë me paqen, stabilitetin në rajon, shkëmbimet ekonomike dhe mbi të gjitha me integrimin evropian të vendeve tona. Besoj se këto marrëdhënie do të ecin përpara dhe ne shpresojmë që Serbia të reflektojë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të shohë përpara për të ardhmen evropiane të saj dhe të gjithë rajonit tonë”, përfundoi Meta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›