E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mbledhja e Mukjes, dita e kombit, por edhe marrëveshja e thyer nga tradhtia komuniste”

Balli Kombëtar Demokrat përshëndet 2 gushtin, mbledhjen e Kuvendit të bashkimit të kombit

Kryetari i Partisë Balli Kombëtar, Adriatik Alimadhi bashkë me shqiptarë që besojnë dhe aspirojnë në bashkimin e Kombit shqiptar kanë kujtuar dje 67-vjetorin e Kuvendit të Mukjes, kuvendin e bashkimit të gjithë shqiptarëve. Në një takim nacionalistësh me drejtuesit më të lartë të Partisë së Ballit Kombëtar në Mukje kreu i partisë, Adriatik Alimadhi ka përshëndetur 2 gushtin e vitit 1943 si një ditë të madhe të Bashkimit të kombit shqiptar dhe si një marrëveshje të thyer nga tradhtia komuniste.
“Prijësit e nacionalizmit shqiptar e panë plotësisht të arsyeshëm bashkëpunimin me komunistët duke kërkuar bashkimin si një trup i vetëm në luftën kundër okupatorit dhe më pas vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri. Ka qenë kjo arsyeja që Mit’hat Frashëri e përgatiti me kujdes këtë takim dhe me përgjegjësi të plotë për fatet e kombit. Mukja u kuptua prej burrave të atëhershëm të kombit tonë, si moment kyç në historinë e gjithë shqiptarëve”, u shpreh Alimadhi.
Sipas tij, Balli Kombëtar u përpoq me të gjitha format edhe mbas prishjes së kësaj marrëveshjeje nga sllavo-komunistët që në Shqipëri të mos ndodhte gjakderdhje që vëllai të mos vriste vëllanë, që djali të mos vriste babanë, por kjo ishte e pamundur.
“Kriminelët komunistë filluan luftën vëllavrasëse me një egërsi shtazore, ata vranë në të katërta anët e Shqipërisë”, vuri në dukje kreu i PBKD-së.
Duke u ndalur në masakrën komuniste të vëllavrasjes Alimadhi theksoi se “nga arkivat tona mund të themi me siguri se janë 4000 deri në 6000 shqiptarë të vrarë nga komunistët barbarisht në luftën vëllavrasëse në vitet 1943-1944.
Duke e quajtur një ditë të bekuar të bashkimit të të gjithë shqiptarëve, Alimadhi i propozoi qeverisë shqiptare që në Mukje të ngrihet muzeu i këtij Kuvendi kaq të rëndësishëm për t’ju përcjellë vizitorëve dhe gjithë shqiptarëve frymën e bashkimit dhe vëllazërimit Kombëtar. “Në mbështetje të kësaj fryme i bëj thirrje qeverisë shqiptare, historiografisë shqiptare që në tekstet shkollore të historisë të largojnë frymën dhe mentalitetin komunist duke e zëvendësuar atë me frymën kombëtare. Në historinë e Shqipërisë të vendosen dokumente, fakte dhe ngjarje në përputhje me frymën kombëtare si Nacionalizma Shqiptare prill 1939, Dekalogu i Ballit Kombëtar i vitit 1942, Marrëveshja e Mukjes gusht,1943”- deklaroi më tej, kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Adriatik Alimadhi.
Gjithashtu, ai i adreson thirrje edhe kreut të shtetit, Bamir Topi, që të vlerësojë kontributin e të gjithë patriotëve shqiptarë dhe nga ky proces shqiptarët të dalin më të bashkuar drejt rrugës së pajtimit Kombëtar.
“Nëse nuk realizohet kjo, pajtim kombëtar nuk do ketë”, vuri në dukje Alimadhi në fjalën e tij.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›