Deklaratat e pasurisë, gjobiten 11 ish-zyrtarë dhe 5 ish-deputetë
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive gjobiti 11 ish-zyrtarë të lartë, të cilët ndonëse janë larguar nga detyra shtetërore, por nuk përfunduan detyrimet në deklarimin e interesave private. Në një njoftim zyrtar, ILDKP bëri me dije se 11 zyrtarë të lartë, duke përfshirë 5 ish-deputetë, janë gjobitur me nga 20 mijë lekë të reja, sepse nuk kanë përmbushur detyrim për deklarim të interesave private. "Pas rakordimeve të kryera në Regjistrin Themeltar të Subjekteve Deklarues, si edhe pas komunikimit shkresor me institucionet ku ushtrojnë ose kanë ushtruar funksionet e tyre këta zyrtarë, si dhe me vete subjektet, ILDKP ka evidentuar disa raste të mosrespektimit të afateve ligjore për subjekte, të cilët kanë mbartur funksione të ndryshme si ish-deputetë, drejtorë drejtorie, punonjës të administratës doganore dhe të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”,- thuhet në njoftimin e ILDKP-së. bëhet fjalë për ish-deputetët Diana Çuli, Rexhep Uka, Durim Lamaj, Hajrulla Paturri dhe Pashko Ujka. Sipas ILDKP-së, mosrespektimi i afateve për deklarim të interesave private bie ndesh me kërkesat e ligjit nr. 9367, dt.7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” dhe parashikohet si kundërvajtje administrative nga neni 44/1 germa “c”, sipas të cilit: “Për mosdeklarim periodik në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrimin për deklarim, dënohet me gjobë nga 20 000 (njëzet mijë) lekë deri në 30000 (tridhjetë mijë) lekë”. “Masa administrative e vendosur ndaj subjekteve nuk i përjashton nga detyrimi për deklarim të interesave private, pasi, refuzimi për deklarimin në Inspektoratin e Lartë, edhe pas marrjes së kësaj mase administrative përbën “kundërvajtje penale dhe dënohet sipas dispozitave te Kodit Penal”, - bëri me dije ILDKP-ja. Ish-zyrtarët janë të detyruar tashmë që të paguajnë gjobën. Në rast se ata refuzojnë, ndiqen penalisht për mos respektim të një urdhri nga një institucion si ILDKP-ja. Ish-zyrtarët e shtetit, pavarësisht se lënë detyrën, kanë detyrim për të bërë deklarimin e interesave të tyre private. Në rastin e ish-deputetëve, të cilët trajtohen financiarisht nga shteti deri në tri vite pas detyrën me gjysmë page, janë të detyruar të bëjnë transparencë.
Ish-zyrtarët e gjobitur
Nr. Emër Mbiemër Funksioni Deklarimi Gjoba
1. Rexhep Uka Deputet, Kuvendi Pas largimit 20.000 lekë
2. Durim Lamaj Deputet, Kuvendi Pas largimit 20.000 lekë
3. Hajrulla Paturri Deputet, Kuvendi Pas largimit 20.000 lekë
4. Pashko Ujka Deputet, Kuvendi Pas largimit 20.000 lekë
5. Diana Çuli Deputet, Kuvendi Pas largimit 20.000 lekë
6. Ornela Macaj Specialiste D.P.Tatime Pas largimit 20.000 lekë
7. Grid Rroji Drejtor, Këshilli Ministrave Pas largimit 20.000 lekë
8. Eva Nomani Doganiere, D.P.Dogana Pas largimit 20.000 lekë
9. Xhuliana Hysi Doganiere, D.P.Dogana Pas largimit 20.000 lekë
10. Sadik Bica Regjistrues, ZQRPP Pas largimit 20.000 lekë
11. Maliq Xhebra Drejtor, Ministria Mbrojtjes Pas largimit 20.000 lekë