E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestat e opozitës, Berisha: Oferta ime



Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje se oferta e tij për dialog me opozitën është serioze. Ky është qëndrimi i kreut të mazhorancës pas përfundimit të protestës treditore të Partisë Socialiste. Kreu i qeverisë tha se mbetet i hapur për të dialoguar, por sipas tij, askush nuk mund të dalë mbi ligjin. “Theksoj edhe një herë një gjë, absolutisht jam dhe mbetem i hapur për dialog dhe kam bërë një ofertë shumë serioze, por çdo gjë duhet të bazohet mbi të vërtetën dhe jo mashtrimin”, - përsëri dje Berisha.

Ndërkohë, pas një deklarate të bërë nga zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj, e cila deklaroi se PS-ja nuk kërkon rinumërimin e votave por hetimin e votës, reagoi Partia Demokratike. Zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli, u shpreh se PD-ja është e gatshme që të ngrejë së bashku me opozitën një Komision Hetimor Parlamentar. “Pasdite (dje) zëdhënësja e Partisë Socialiste, Imeraj, më në fund dhe për herë të parë që nga 28 qershori deklaroi në emër të opozitës, se opozita nuk kërkon rinumërim të votave as ndryshimin e vendimit të gjykatës, por kërkon hetim parlamentar të zgjedhjeve. PD deklaron se mbetet e gatshme dhe e hapur për krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në përputhje me Kushtetutën, ligjin organik të Komisioneve Parlamentare dhe Gjykatës Kushtetuese për objektin e hetimit të Komisionit Parlamentar”, - tha zëdhënësja e PD-së. Ajo shtoi më tej se PD mbetet e gatshme që shumicën vendimmarrëse në këtë komision ta ketë opozita. “PD i përmbahet angazhimit të saj publik se në këtë komision, pavarësisht se ligji i Komisioneve Parlamentare parashikon në mënyrë taksative që mazhoranca ka shumicën e komisionit, të krijojë pas zgjedhjes së komisionit mundësinë që shumicën ta ketë opozita duke tërhequr anëtarët e saj prej tij”, - përfundoi reagimin e saj, zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli. Ndërkaq gjatë paradites, kreu i mazhoranës, Sali Berisha, tha se: “Po theksoj përsëri, është në detyrimin tim madhor, të garantoj protestën e cilitdo qytetar të këtij vendi dhe kjo është e qartë se ndodhi dhe do të ndodhë. Tani, vazhdon tri ditë, vazhdon tridhjetë ditë, vazhdon tre muaj, vazhdon në infinit, këto janë çështje jo të miat, janë vendimmarrje që dalin tërësisht jashtë kompetencave të mia”. Kreu i qeverisë tha në të njëjtën kohë se nuk mund të dilet mbi vendimet e gjykatave dhe ligjit. “Të pretendosh se nuk ka vendosur gjykata në një kohë kur gjykata ka shqyrtuar në themel Beratin, Fierin etj., dhe ka vendosur se nuk mund të ketë rinumërim të pabazuar në kontekst, atëherë do të thotë të ndërtosh strategjinë tënde mbi mashtrimin dhe kjo është përzgjedhja që unë nuk e këshilloj. Pra vendimi është i formës më të prerë, zgjedhjet kanë certifikimin më të plotë në historinë e këtij vendi”, - shtoi Berisha. Duke folur më tej për këtë çështje, Berisha tha se lidershipi i PS-së nuk po pranon votën e shqiptarëve, pasi sipas tij, zgjedhjet u certifikuan. “Ata që nuk duan të pranojnë votën e shqiptarëve, kanë problem me veten e tyre, shqiptarët kanë votuar, zgjedhjet janë certifikuar, unë këto mund të theksoj dhe e theksova edhe dje. Në mënyrë kategorike vendimi i gjykatës nuk do të mund të përmbyset as nga ata që unë thashë dje, as nga ai, po u ngrit lugat për t’i ndihmuar. Të harrojnë se mund të bëhet kjo gjë”, - përfundoi deklaratën e tij kreu i mazhorancës së djathtë, Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›