E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS e paqartë, kërkon apo jo rinumërim



Partia Socialiste ka hyrë në kulmin e protestimit të saj ndaj zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe akoma nuk ka qartësuar nëse kërkon rinumërim votash apo vetëm hetim parlamentar për zgjedhjet. Nëse “hapja e kutive” është përdorur si një argument i fortë me të cilin ajo përplaset me mazhorancën aktuale në pushtet, kjo ka ndodhur pas me hapje të kutive, logjikisht kuptohet rinumërim votash. Por në fakt nga goja e zëdhënëses së partisë vetëm dje pas protestës dyditore në sheshin para Kryeministrisë është artikuluar fjalia se “nuk kërkojmë rinumërim votash por hetim të zgjedhjeve”. Për një moment u duk sikur ujërat u qetësuan, PS u tërhoq duke i hapur rrugë kusht u hetimit parlamentar gjë të cilën as mazhoranca nuk e ka kundërshtuar. U duk si një paradoks qëndrimi se “nuk duam rinumërim” në një kohë që kreu i partisë, Edi Rama, kishte tri ditë që këmbëngulte se pa u hapur kutitë PS nuk heq dorë nga protesta dhe bojkoti. Dhe në të vërtetë PS, rendi ta rregullojë qëndrimin duke dhënë dhe një tjetër qëndrim dhe më të paqartë, ku kërkohej hetim i numrit të votave, por jo rinumërim. “Në emër të opozitës sqaroj se është Sali Berisha që e mbështet mbi mashtrimin moshapjen e kutive, jo opozita. Ne nuk kërkojmë rinumërim të votave po hetim të zgjedhjeve. Ne s’kemi punë me vendimin e gjykatës për zgjedhjet, po me të drejtën e Parlamentit për të hetuar me ligj procesin zgjedhor”, - tha dje pasdite Armela Imerja, zëdhënëse e PS-së. Por pasi të gjitha mediat u fokusuan tek tërheqja e PS-së dhe solli reagimin e PD-së, e cila i kujtoi se për hetimin e ka rrugën hapur, ajo nxitoi ta rregullojë qëndrimin duke u shprehur se “e kemi thënë gjithnjë nuk duam rinumërim të votave për efekt të mandateve, po hetim të zgjedhjeve, duke filluar sigurisht nga kutitë, nga hetimi i numrit të votave, nga listat e votuesve dhe procesverbalet në kuti”.

Vendimi

Deputetët mbështetës të Edi Ramës në PS, pasi qëndruan për dy net para Kryeministrisë, kanë vendosur që t’i ndërpresin përkohësisht tubimet duke i rinisur ato më datë 5 dhjetor. Siç bëhet e ditur nga grupi organizues i mitingjeve, më 5 dhjetor Rama do të dalë në shesh me bashkiakët dhe komunarët socialistë, duke shënuar një protestë të pushtetit lokal të drejtuar nga PS. Ndërkaq është krijuar precedent me marrjen e administratës së këtyre bashkive në mënyrë të detyruar në protestat që bën PS-ja. Rama dje foli me një gjuhë të ashpër, duke thënë se i lë dhe 10 ditë afat qeverisë. “Sot Shqipëria nuk është më ajo e 48 orëve më parë. Populli opozitar më i bashkuar për lirinë dhe më i shumtë në numër se asnjëherë për të drejtën sovrane, ka shkruar në formë ultimative kërkesën e tij për qeverinë: të hapen kutitë e votimit, ose vala e protestës do të hapet në gjithë Shqipërinë, deri në largimin e qeverisë”, - deklaroi kreu i PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›