E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklaratat e trajnerëve para ndeshjes

Pep Guardiola, trajneri i Barcelonës, është shprehur se fitorja e finales së Ligës së Kampioneve ndaj Manchester United do të ndihmonte të ardhmen e ekipit katalanas.

"Kur stërvit një ekip si Barcelona shpenzon energji pavarësisht nëse fiton apo jo. Fitorja të lejon të vazhdosh i qetë punën sepse kultura latine nuk pranon humbjen. Për këtë arsye ne duhet të fitojmë finalen, përndryshe e ardhmja do të jetë e vështirë", deklaroi Guardiola në konferencën për shtyp në prag të finales së Wembley.

"Eshtë një emocion unik, një shans për t′u kapur. Si ne si anglezët kemi bërë një sforcim të madh, ndaj është një privilegj të jesh këtu. Ai që do të humbasë, dhe pse do të mbetet i zhgënjyer, nuk duhet të harrojë atë që ka bërë në vitet e fundit".

"Mançesteri", thotë ai, "ka pikat e tij të forta, por edhe ne kemi tonat". Bën një pauzë dhe shton: "Po, besoj se është finalja më e mirë e mundshme".

Sir Alex Ferguson, trajneri i Manchester United, është paraqitur para mediave në konferencën për shtyp në prag të finales së Ligës së Kampioneve, ku ekipi i tij do të përballet me Barcelonën në Wembley.

"Manchester vjen në këtë finale me më shumë besim dhe maturi se në vitin 2009 ku humbëm ndaj spanjollëve. Jemi të përgatitur dhe të bashkuar për këtë ndeshje. Lojtarët janë të gjithë në një formë të shkëlqyer", u shpreh trajneri skocez.

Për Fergusonin, ndeshja e nesërme mund të quhet edhe si finalja e dekadës: "Duke parë rezultatet e 10 viteve të fundit të të dyja skuadrave mund të quhet si finalja e dekadës. Do të jetë një ndeshje me gola, lojë të bukur dhe shumë emocion".
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›