“Qeveria, përpjekje maksimale në trajtimin e problemeve të ish-të për përndjekurve”
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi takim me kryetarin e Shoqatës Mbarëkombëtare të ish- të përndjekurve politikë, Adem Allçi
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi u takua të premten me kryetarin e Shoqatës Mbarëkombëtare të ish-të përndjekurve politikë, Adem Allçi dhe përfaqësues të Institutit të ish-të përndjekurve politikë. Gjatë takimit ata i shprehën ministrit shqetësimin e ish-të përndjekurve mbi shkurtimin e kohës në shpërndarjen e kësteve si dhe mbi dokumentacionin e kërkuar nga Komisioni Trepalësh. Gjithashtu ata kërkuan më shumë hapësirë për punësimin e fëmijëve të ish-të përndjekurve si dhe trajtimin e trashëgimtarëve të tyre. Nga ana e tij, Ministri Halimi i garantoi për përpjekjet e qeverisë në trajtimin e këtyre problemeve si dhe adresimin e çështjeve tek autoritetet e financave për trajtimin e kërkesave të trashëgimtarëve ligjore. Ministri i informoi përfaqësuesit e ish-të përndjekurve politikë mbi parashikimet e buxhetit nga ana e Ministrisë së Financave për vitin 2013 si dhe planin e qeverisë për përfundimin e procesit të dëmshpërblimit deri në vitin 2017. Palët ranë dakord mbi caktimin e kontakteve për diskutimin e çdo problemi që do të linde me Shoqatën brenda fushës së veprimtarisë së Ministrisë së Drejtësisë.