Deklaratë për shtyp e Zëdhënëses së Kryeministrit, Znj. Juela Meçani
Sot një gazetë e kontrolluar nga opozita dhe mafia hapet me një titull kryesor mashtrimi se Berisha nuk u akordon lekë nga buxheti i shtetit, qytetit të Tiranës dhe qytetit të Vlorës.
Lidhur me këtë trillim të radhës të politikës, sqarojmë se Tirana dhe Vlora janë dy rrethet, të cilat kanë marrë më shumë para nga qeveria qendrore.
Në Vlorë dhe në Qarkun e saj janë mbi 420 milionë dollarë investime të realizuara ose në realizim e sipër gjatë tre viteve të fundit. Vetëm në ujësjellësa dhe në energji, Vlora ka marrë buxhet për investimet më të mëdha të 20 viteve të fundit. Investimet në Vlorë janë njohur dhe vlerësuar nga qeveria vendore dhe nga qytetarët e saj dhe nuk mund t`i errësojë ato politika e re e trillimeve.
Ndërsa qytetit të Tiranës qeveria i ka akorduar në këto vite shumat më të mëdha të buxhetit. Qytetit të Tiranës i janë dhënë kredi prej150 milionë dollarësh nga të cilat kredia japoneze që iu dha Kryeministrit të Shqipërisë, z. Berisha nga Kryeministri i Japonisë z. Fokuda gjatë vizitës së tij zyrtare në Japoni. Kjo kredi u miratua dy javë më parë nga qeveria dhe do të shërbejë për sistemin e kanalizimeve të ujërave të zeza të Tiranës. Gjithashtu është miratuar kredia për Unazën e Madhe me një garanci sovrane nga qeveria qendrore.
Ndaj për këto arsye, ne hedhim poshtë këto trillime të politikës së re si dhe shprehim dhimbjen për keqpërdorimin dhe keqshfrytëzimin e kësaj gazete të përditshme që është kthyer në trakt dhe në zëdhënëse të politikës së mashtrimit.