Kryeministri Berisha niset për një vizitë tre-ditore në Paris
Kryeministri Sali Berisha niset sot për një vizitë tre-ditore në Francë me ftesë të Presidentit të Republikës së Francës, Nicolas Sarcozy.
Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në Samitin e Parisit për Mesdheun, ku do të mbajë një fjalim duke e vënë theksin në rëndësinë e Unionit të Mesdheut, i cili synon forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes vendeve të Mesdheut dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Në këtë samit do të marrin pjesë përfaqësues të 43 vendeve të Mesdheut dhe Europës.
Gjithashtu Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në festimet madhështore me rastin e Festës Kombëtare të Francës dhe në Paradën që zhvillohet në sheshin “Champs Elysée” dhe në drekën që Presidenti Sarcozy organizon me rastin e Festës Kombëtare të Francës. Në këtë eveniment do të jenë të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon dhe personalitete të larta të politikës franceze dhe Bashkimit Europian.
Kryeministri Berisha do të nënshkruajë një Memorandum me Përfaqësuesin e lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Havier Solana për pjesëmarrjen e trupave ushtarake shqiptare në misionin paqeruajtës të BE-së, “EUFOR”, në Republikën e Çadit.