Kryeministri Berisha: Të ardhurat nga administrata qendrore fiskale janë rritur 19 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2007
- Rritja e te ardhurave shkon nga 26.4 ne 28. 2 per qind te PBB
Kryeministri Berisha tha sot në mbledhjen e qeverisë se të ardhurat nga administrata qendrore fiskale këtë vit u tejkaluan me 7 për qind, duke arritur 6.3 miliardë lekë më shumë se plani, ose 19 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Duke bërë një paraqitje të rezultateve të 6 mujorit të parë të vitit 2008, bazuar në të dhënat e autoriteteve përkatëse, Kryeministri tha se “të ardhurat nga administrata qendrore fiskale këtë vit u tejkaluan me 7 për qind, ndonëse ishte një plan shumë më i madh se në vitin 2007. Në këtë mënyrë, u realizuan 6.3 miliardë lekë më shumë se plani, ose në total 19 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”.
Ndërsa në administratën doganore, tejkalimi i të ardhurave është 7 për qind, ose 13 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar., ndërkohë që të ardhurat nga tatim fitimi janë 8 për qind më të larta se në gjashtë mujorin e parë të vitit 2005, me gjithë uljen e tarifës prej rreth 2.5 herë, theksoi Kryeministri. Gjithashtu, vijoi ai, ka një rritje të madhe të akcizës.
“Në tërësi, rritja e të ardhurave, nga 283 miliardë lekë të planifikuara për buxhetin fillestar, ka arritur në 304 miliardë lekë me buxhetin shtesë. Po t’i referohemi PBB-së kjo është një rritje shumë e madhe që shkon nga 26.4 për qind në 28.2 për qind, pra ka një rritje prej 1.8 për qind”, tha Kryeministri.
Duke sjellë në vëmendje periudhën e qeverisjes së mëparshme, Kryeministri kujtoi përpjekjet e tij dhe tw opozitës së atëhershme në parlament, duke kërkuar rritjen me 05 për qind të PBB, si shtesë për fondin e pensioneve. “Kur ne ishim në opozitë, kemi kërkuar në parlamentin e asaj kohe, për një ditë të tërë, rritjen me 0,5 për qind të PBB, pasi donim që këto para t’u kalonin pensioneve. Pavarësisht këmbënguljes sonë në parlament, për rreth 24 orë, kjo kërkesë e jona nuk u pranua dhe u quajt e pamundur”, nënvizoi Kryeministri.
Kryeministri vuri në dukje se nga viti i kaluar deri këtë vit, të ardhurat janë rritur me 1.8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. “Ky buxhet i jep mundësi të madhe shpejtimit të projekteve, hapjes së projekteve të reja dhe konsolidimit të mëtejshëm të disiplinës fiskale”, u shpreh Kryeministri, ndërsa siguroi shqiptarët se “pavarësisht nga vitit elektoral, nuk do të njohin lëkundje në asnjë aspekt”.