E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklaratë e Konferencës së Kryetarëve

  Sot, Kryetarja e Kuvendit thirri Konferencën e Kryetarëve për të diskutuar për situatën e  krijuar nga greva e urisë e disa deputetëve në Sallën e Seancave Plenare.   Konferenca shprehu shqetësimin për faktin që grevistët po e zhvillojnë grevën në kushte të papranueshme edhe për shëndetin e tyre, ndaj i fton ata ti bëjnë thirrje arsyes dhe përgjegjshmërisë së tyre politike.   Për këtë arsye, Konferenca e Kryetarëve u shpreh se duhet të kërkohen mjedise të tjera të përshtatshme.   Konferenca vlerësoi se  Parlamenti është institucioni kryesor i kryerjes së reformave dhe se ai është vendi i vetëm i diskutimit dhe i debatit politik. Procesi është ende i hapur në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore.   Kryetarët e grupeve parlamentare vërejtën se, në procesin  e reformave është synuar të përfshihen të gjitha forcat poltike dhe se deri tani të gjitha hapat e reformës elektorale  janë arritur me konsesusin më të madh të mundshëm. Por procesi nuk mund të pengohet nga askush.   Konferenca e Kryetarëve vlerësoi gjithashtu se greva e urisë është një mjet i njohur i sensibilizimit publik, por kurrsesi mjet legjitim për të ushtruar presion politik.  Duke shprehur bindjen se çdo tentativë për të bllokuar funksionimin e parlamentit është i papranueshëm, Konferenca e Kryetarëve fton deputetët grevistë të respektojnë rregullat e demokracisë, ligjet e shtetit dhe Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë.

 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›