Kryeministri Berisha: Jemi të vendosur të mbështesim fuqishëm pjesëmarrjen e sektorit privat në arsim
Kryeministri Berisha mori pjesë, sot pasdite, në ceremoninë e dhënies së certifikatave për 26 mësues të shkollave publike e private, për ndjekjen e kursit të organizuar nga Qendra për Arsim Demokratik (CDE), me tematikë “mësimdhënia dhe të nxënit ndërveprues sipas metodave për zhvillimin e të menduarit kritik.
Kryeministri Berisha vlerësoi nismën e ndërmarrë nga kjo organizatë e Shoqërisë Civile, e cila, tha Kryeministri, “e nis punën me një peshë të madhe cilësore në reformën arsimore në vend”. Gjithashtu, Kryeministri përshëndeti të gjithë mësuesit e trajnuar në këtë kurs. “Ju jeni bërë me këtë nismë një shembull i shkëlqyer për 40 mijë mësuesit e këtij vendi dhe ju keni dëshmuar se keni marrë një vendim shumë të lartë qytetarie, profesioni, për të cilin unë u shpreh respektin tim më të madh”, tha Kryeministri.
Kryeministri siguroi edhe njëherë se qeveria do të vazhdojë ta ketë përparësi arsimin dhe ajo ka vendosur në epiqendër mësuesit, dinjitetin, aftësitë, kualifikimin dhe kushtet e tyre të punës.
Më tej, Kryeministri u ndal edhe në rëndësinë e nxitjes së sektorit privat në arsim. “Jam i vendosur të mbështes fuqimisht pjesëmarrjen e sektorit privat në arsim, sepse jam i bindur se kjo është rruga më e sigurt e mobilizimit të burimeve më të mëdha financiare, në mbështetje të këtij sektori. Ne do të punojmë me përkushtim të zhdukim dallimet, sepse në botë sot ka një revolucion dhe ky është revolucioni i shërbimeve. Në këtë kontekst, ajo që ka shumës rëndësi është cilësia e tyre dhe jashtë garës nuk mund të ketë cilësi”, u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri tërhoqi vëmendjen edhe për sa i përket çështjes së shkrimit te teksteve nga pedagogët, duke theksuar se duhet të nxitet edhe përkthimi i teksteve studimore të afirmuar dhe vlerësuar ndërkombëtarisht. “Ka shumë tekste të cilat e kanë konfirmuar veten e tyre në botë. Unë nuk them se nuk duhet të shkruhen tekste, sepse disa duhet të shkruhen dhe me këtë mendim nuk dua të dekurajoj askënd, por, nga ana tjetër, dua të nxis përkthimin e teksteve më të mira, të cilat janë të faktuara si sintezë e shkëlqyer, solide, e të dhënave bazë të një disipline të dhënë, e cila shprehet me të njëjtat terma, me të njëjtat ekuacione, me të njëjtat koncepte, kudo në botë”, tha Kryeministri.
Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:
“Erdha me shumë kënaqësi në këtë aktivitet, së pari, për të përshëndetur këtë nismë që vjen nga një organizatë e Shoqërisë Civile por që nis punë me një peshë të madhe cilësore në reformën tonë arsimore. Drejtori Ekzekutiv i CDE-së, Bardhyl Musai, është një personalitet i përkushtuar ndaj sistemit të edukimit dhe ai përzgjedh të japë kontributin e tij në fushën e kualifikimit të mësuesve, fusha më prioritare aktualisht për mësimin.
Por unë, erdha gjithashtu të përshëndes edhe mësuesit e trajnuar, që vullnetarisht kanë përzgjedhur kualifikimin. Ju jeni bërë me këtë nismë një shembull i shkëlqyer për 40 mijë mësuesit e këtij vendi dhe keni dëshmuar se keni marrë një vendim shumë të lartë qytetarie, profesioni, për të cilin unë u shpreh respektin tim më të madh. Ju jeni të vetëdijshëm se kjo qeveri e ka vendosur si përparësi absolute arsimin dhe për aq kohë sa ajo të qeverisë këtë vend, do të vazhdojë ta ketë përparësi atë. Kjo qeveri ka vendosur në epiqendër mësuesit, dinjitetin, aftësitë, kualifikimin dhe kushtet tuaja të punës.
Gjatë të gjitha reformave dhe vendimeve që unë kam marrë, nuk ka pasur vendim më të vështirë se ai për dyfishimin e rrogave tuaja, sepse ky vendim shkon kundër të gjitha parimeve të financave. Por unë e kam bërë këtë gjë me vendosmëri dhe kënaqësi, duke qenë i bindur se në këtë mënyrë i bëhet një shërbim shumë i madh vendit. Unë ju siguroj se ne do të vazhdojmë mbështetjen ndaj jush. Por, uroj që kolegët tuaj të ndjekin shembullin tuaj, sepse roli juaj është i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm, qoftë në formimin qytetar të fëmijëve tanë, në zgjerimin e dijeve tek këta fëmijë, por edhe zgjerimin e dijeve në tërësi në shoqëri. Ne nuk kemi asnjë korpus tjetër intelektual, sa kemi në arsim. Këtu është korpusi më i gjerë kombëtar. Ndaj, askush më shumë se mësuesit nuk ka mundësi të ndikojë në zgjerimin e dijes, në garën e dijes dhe të qytetërimit, të demokracisë, të konsolidimit të parimeve të demokracisë.
Erdha sot të përshëndes shembullin tuaj, që vullnetarisht i jeni bashkuar nismës së zotit Musai. Por, janë edhe dy arsye të tjera që më shtynë të vija këtu tek ju. Së pari, kjo është një nisëm private dhe merr një peshë të veçantë. Unë jam i vendosur të mbështes fuqimisht pjesëmarrjen e sektorit privat në arsim, sepse jam i bindur se kjo është rruga më e sigurt e mobilizimit të burimeve më të mëdha financiare në mbështetje të këtij sektori. Ne do të punojmë me përkushtim të zhdukim dallimet, sepse në botë sot ka një revolucion dhe ky është revolucioni i shërbimeve. Në këtë kontekst, ajo që ka shumës rëndësi është cilësia e tyre dhe jashtë garës nuk mund të ketë cilësi. Unë i kam marrë disa zotime dhe duhet të jeni të sigurt se nuk heq dorë prej tyre, pa i bërë ato realitet, në drejtimin fiskal dhe në disa çështje të tjera në arsim.
Ne duhet të largohemi nga klasicizmi i arsimit publik. Nuk them se do t’i kthejmë shpinën atij, por duhet të gjejmë format që ta bëjmë atë sa më kompetitiv dhe gara është ajo që përcakton eficencën. Ne do të përpiqemi ta inkurajojmë këtë garë dhe të jemi të ndershëm dhe të barabartë në të.
Së dyti, çështja tjetër për të cilën erdha sot këtu është çështja e teksteve. Dua të flas lirshëm me ju në këtë pikë, sepse kam qenë edhe vet tekstshkrues. Por, dua të jem i sinqertë e t’ju them se, në qoftë se koha që kaloja me kërkim shkencor ishte një kohë që më përpinte, koha që më duhej t’i kushtoja shkrimit të tekstit, ishte një kohë që më mundonte. Vazhdimisht i shtroja pyetjen vetes; Përse na detyrojnë të shkruajmë tekste? Këtë gjë unë e konsideroj të gabuar. Kur kam qenë pedagog, kam dhënë një lëndë e cila kishte shumë lidhje me disiplina të tjera, kimia molekulare, biologjia molekulare etj. Në ato kohë, gjeta një tekst të një nobelisti, i cili kishte marrë çmimin Nobel për sintezën e proteinës, por edhe çmime të tjera. Në hyrjen e këtij libri, ai thoshte se ky tekst është shkruar për nxënësit e klasës së 5-të, të 6-të, për gjimnazistët që bëjnë lëndën e kimisë, për studentët e universiteteve që bëjnë këtë lëndë, për mësuesit e klasave 6 e 7 që japin lëndën e kimisë, për mësuesit e gjimnazit, për profesorët e universitetit që japin këtë lëndë. Ai besonte se në tekstin e tij kishte arritur të qartësonte të vërtetat e kimisë dhe t’i bënte ato të kapshme për të gjitha moshat, pavarësisht nga niveli. A ekzistojnë tekste të tilla?. Po, tekste të tilla ekzistojnë, ndaj unë mbetem gjithnjë i mendimit se, përse ne të mos i përkthejmë këto tekste, por t’i shkruajmë vet ato!. Ka shumë tekste të cilat e kanë konfirmuar veten e tyre në botë. Unë nuk them se nuk duhet të shkruhen tekste, sepse disa duhet të shkruhen dhe me kete mendim nuk dua të dekurajoj askënd. Por, nga ana tjetër, dua të nxis përkthimin e teksteve më të mira, të cilat janë të faktuara si sintezë e shkëlqyer, solide, e të dhënave bazë të një disipline të dhënë, e cila shprehet me të njëjtat terma, me të njëjtat ekuacione, me të njëjtat koncepte, kudo në botë.
Edhe njëherë, u përshëndes dhe ju falënderoj për këtë aktivitet”.
12/11/2008