E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria do të adaptojë një qëndrim cilësisht të ri ndaj librit dhe bibliotekave në vend

 Kryeministri Berisha mori pjesë, sot në mbrëmje, në ekspozitën e organizuar nga Biblioteka Kombëtare, në kuadër të 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit.  Në këtë aktivitet ishte i pranishëm Zëvendëskryeministri Genc Pollo, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango, Drejtori  i Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari, Kryetari i Akademisë së Shkencave, përfaqësues të tjerë të botës së kulturës, etj.  Në këtë ekspozitë ishin paraqitur një pjesë nga fondi i vlerave gjuhësore të Bibliotekës Kombëtare, së bashku me një album katalog që përmbledh ngjarjet e Kongresit të Manastirit dhe zhvillimet në vijim për alfabetin e gjuhës shqipe.    

Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që ishte i pranishëm në këtë aktivitet, që çel serinë e aktiviteteve që organizohen në 100 vjetorin e alfabetit të gjuhës shqipe.  “Ky është një moment mirënjohjeje më të thellë për ata burra që vendosën të përzgjedhin për alfabet të gjuhës shqipe, atë alfabet që ishte më shpirtëror për këtë gjuhë.  Gjuha jonë është shkruar shekuj e shekuj më parë, është shkruar në alfabete të ndryshme. Por ajo që të bën përshtypje dhe të mbush me një mirënjohje të thellë, është fakti se Kongresi i Manastirit përzgjodhi alfabetin latin, sepse ndoshta ai ishte më i vjetri  me të cilën u shkrua gjuha shqipe, pra kjo gjuhë që flasim ne sot. Sigurisht këtu nuk po i referohem edhe revolucionit që kjo gjuhë mund të ketë bërë, që nga koha e pararendëses së saj”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri theksoi se ata që përzgjodhën dhe vendosën për këtë alfabet, qenë burra mendjendritur dhe që u ndikuan vetëm nga e vërteta kombëtare,  edhe pse rrymat ishin të ndryshme. “Nuk ka rëndësi kundërshtitë apo debatet që ata patën, por rëndësi të jashtëzakonshme ka trashëgimia e shkëlqyer që ata na lanë, trashëgimi e cila, së bashku me flamurin kombëtar, përbëjnë 2 dëshmitë më të mëdha të vokacionit perëndimor të kombit shqiptar”, nënvizoi Kryeministri.

Duke falënderuar drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, zotin Plasari, për ftesën e bërë dhe për organizimin e këtij aktiviteti, Kryeministri tha se “qeveria do të adaptojë një qëndrim cilësisht të ri ndaj librit dhe bibliotekave, ku Biblioteka Kombëtare do të ketë rolin e liderit të këtij procesi dhe këtij zhvillimi”. 


12/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›