Deklaratë për shtyp e Këshilltarit të Kryeministrit pë Arsimin, z. Myqerem Tafaj
Dje, kryetari i Partisë Socialiste mbylli serinë e trillimeve për arsimin me një deklaratë tronditëse. Ai doli hapur kundër liberalizimit të universiteteve, ose, ndryshe, kundër së drejtës së çdo maturanteje dhe maturanti shqiptar për të vazhduar arsimin e lartë. Një sulm kundër liberalizimit të universiteteve është në fakt sulm kundër dijes.
Liberalizimi i universiteteve është arritja më e madhe e Shqipërisë dhe e kësaj qeverie në 3 vitet e fundit. Hapja e dyerve të shkollave të larta për të gjithë të rinjtë, që e meritojnë, ishte ëndrra e gjithë shqiptarëve. Kjo qeveri e bëri këtë ëndërr realitet. Nga rreth 14 studentë/1000 banorë që kishte Shqipëria në vitin 2005, sot ajo numëron rreth 30 studentë/1000 banorë. Kështu, Shqipëria i afrohet shumë mesatares së BE-së. Në këtë vit akademik, Shqipëria do të ketë rreth 110 mijë studentë në të gjitha nivelet (passekondar ose 2-vjeçar, bachelor dhe master) dhe në të gjitha format e studimeve (me kohë të plotë dhe kohë të pjesshme).
Me sulmin kundër liberalizimit të universiteteve kryetari i PS-së kërcënoi me mosnjohje të diplomave rreth 110 mijë studentë dhe rreth 500 mijë familjarë të tyre.
Kryetari i PS-së u tha dje rreth 130 mijë nxënësve të arsimit të mesëm dhe gati 600 mijë familjarë të tyre, se vetëm elita (nuk e tha se si do ta veçojë atë!), por jo fëmijët e shqiptarëve të thjeshtë, do të vazhdojnë shkollat e larta. Kjo sepse, sipas tij, Shqipëria paska shumë studentë! Raporti i vitit 2008 i BE-së për arsimin tregon se Sllovenia (me 2 milion banorë) ka rreth 100 mijë studentë dhe Estonia me 1.3 milion banorë ka rreth 70 mijë studentë. Po Shqipëria, me rreth 4 milion banorë dhe që synon t’i bashkohet familjes Europiane, sa studentë duhet të ketë? Këtë nuk na e tha Z. Rama!
Kryetari i PS-së sulmoi hapur pranimin e studentëve në shkollën e lartë mbi bazën e rezultateve të Maturës (pra, meritës) dhe dëshirë (preferencës) së çdo maturanteje apo maturanti dhe kërkoi rikthimin e konkursve të degraduara të stadiumeve. Por shqiptarët tashmë e dinë mirë se sa i korruptuar u bë sistemi i konkurseve.
Ko qeveri është e vendosur të thellojë reformat në arsimin e lartë dhe i garanton të gjithë maturantët dhe studentët e shkollave publike dhe private, se ajo do të punojë pandërpreje për të krijuar të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që çdo maturante dhe maturant të fitojë një shkollim universitar cilësor në Shqipëri.
26/10/2008