Kryeministri Berisha bën homazhe në nderim të intelektualit dhe personalitetit të shquar Bashkim Gazidede
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot homazhe në nderim të intelektualit dhe personalitetit të shquar Bashkim Gazidedes, ish deputet në zgjedhjet e vitit 1992, ish Drejtor i Shërbimit Informativ Kombëtar dhe së fundi, Nëndrejtor i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, i cili u nda nga jeta një ditë më parë. Homazhet dhe ceremonia mortore, të organizuara nga Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, u zhvilluan në sallën e seancave plenare të Kuvendit, në prani të personaliteteve të larta shtetërore, familjarëve dhe miqve të tij.
Pas homazheve, Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria dhe shqiptarët ndahen sot me një prej bijve më të ndershëm, të përkushtuar, më intelektual e të shquar të tyre.
“Bashkim Gazidede i përket asaj plejade të intelektualëve shqiptarë, të cilët në vitet ’90 me guxim dhe kurajë të pashoqe shembën murin e Berlinit dhe themeluan në Shqipëri pluralizmin politik, njeri i një performance të shkëlqyer gjatë jetës së tij. Pas zgjedhjes deputet në këtë parlament, me votën e qytetarëve të Dibrës, ai mori përsipër ndërtimin e shërbimeve inteligjente shqiptare, zëvendësimin e shërbimeve të diktaturës me shërbime të një sistemi demokratik. Ai mblodhi rreth vetes forca, individë e elementë ndër më të përkushtuarit.
Bashkim Gazidede dha një kontribut historik të shkëlqyer në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Ndershmëria dhe përkushtimi i ekipit që ai drejtoi bëri që Shqipëria, në fillim të viteve ’90, të qëndrojë së bashku me aleatët e partnerët tanë me dinjitet të madh në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Ai qëndroi vendosmërisht në mbrojtje të shtetit, Kushtetutës dhe të interesit kombëtar në momente tragjike të rebelimit komunist të vitit 1997.
Zoti Gazidede dha kontribut të shquar në reformimin e sistemit të regjistrimit të pasurive dhe të hipotekave të vendit.
Ai u godit nga një sëmundje të rëndë, me të cilën luftoi me trimëri të pashoqe, guxim e gjakftohtësi të admirueshme. Ai ndahet nga jeta duke lënë kujtimin e një intelektuali të shquar, e një shërbëtori të madh të kombit të tij, e simbolit të një njeriu të ndershëm, e një promotori të vërtetë të proceseve demokratike në Shqipëri.
Familjarët miqtë bashkëpunëtorët, studentët e tij dhe kolegët universitetit, kolegët e shërbimit të gjithë ruajnë e do të ruajnë për të nderin e madh që ai ju la me veprën e tij,” u shpreh Kryeministri Berisha.
Bashkim Gazidede lindi në 2 shkurt 1952. Studimet parauniversitare i kreu në rrethin e Peshkopisë, ndërsa ato universitare pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Dega Matematikë, me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 1984 emërohet pedagog pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Bashkim Gazidede ishte një ndër intelektualët e shkëlqyer shqiptarë që u angazhuan që në ditët e para në lëvizjen demokratike dhe dha një kontribut të vyer në përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri. Në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, zoti Gazidede zgjidhet deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Në vitin 1992 deri në vitin 1997, merr detyrën e Drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar dhe në vitet 2005-2008, Nëndrejtor i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
26/10/2008