E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Nënshkrimi i Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Presidenti Bush, akti më kulmor historik që nga njohja e Shqipërisë së pavarur nga SHBA

Kryeministri Berisha përshëndeti sot përzemërsisht firmosjen në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Xhorxh W. Bush te Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, dje pasdite. 

Gjatë një konference të posaçme për shtyp për këtë çështje, Kryeministri Berisha vlerësoi se firmosja me datë 24 tetor nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W. Bush, të ligjit të Senatit të Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut përbën aktin ligjor më madhor në historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve, pas njohjes nga vendi i lirisë, i Shqipërisë së pavarur.


Ky akt, vijoi më tej Kryeministri, përbën një besim të madh, një votëbesim të madh për shqiptarët, Shqipërinë dhe reformat e saj të suksesshme.

Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh:  

Jam këtu për t’i shprehur mirënjohjen më të thellë timen dhe të qeverisë shqiptare, për të përshendetur përzemërsisht  firmosjen dje në pasditen e vonë  në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Xhorxh W. Bush, miku më i shquar i kombit shqiptar , të ligjit të votuar në unanimitet në Senatin e Shteteve të Bashkuara  për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Firmosja me datë 24 tetor nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës , Xhorxh W. Bush, të ligjit të Senatit të Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut përbën aktin ligjor më madhor në historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve, pas njohjes nga vendi i lirisë, i Shqipërisë së pavarur.
Ky akt përbën një besim të madh, një votëbesim të madh për shqiptarët, Shqipërinë dhe reformat e saj të suksesshme.
Ky akt përbën një vlerësim të madh për përpjekjet e suksesshme të Shqipërisë për ndërtimin në ish vendin e sistemit totalitar më të egër në Europë, hiperkolektivizmit total, izolimit më të thellë të shoqërisë së lirisë, shtetit ligjor dhe ekonomisë së lirë të tregut.
Por ky akt, kjo firmë e Presidentit të Shteteve të Bashkuara është edhe një përgjegjësi madhore për Shqipërinë, shqiptarët, qeverinë shqiptare dhe institucionet e këtij vendi për të konsoliduar nëpërmjet reformave  të thella  dhe të gjithanshme  shtetin ligjor , demokracinë e bazuar në vlerat e tregut.
Me këtë rast unë duhet të garantoj qytetarët shqiptarë, duhet të garantoj Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe qeverinë e tij se qeveria ime do të ndërmarë të gjitha masat, do të ndjekë të gjitha reformat në mënyrë që demokracia, shteti ligjor, shoqëria e bazuar në vlerat e lirisë të njohin konsolidime të pandërprera.
Firmosja nga Presidenti Xhorxh W. Bush i ligjit të votuar nga Senati Amerikan në unanimitet të plotë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO është konretizim, realizim i mesazhit të madh që Presidenti Bush solli në vizitën e tij historike në Tiranë.
“Shqipëria në NATO”- ky ishte mesazhi që solli miku më i shquar , vizitori më i lartë i të gjitha kohërave që vizitoi Shqipërinë në qershor të vitit 2007.
Shqiptarët këtë akt , këtë firmë do ta mbajnë mend në të gjitha kohërat me mirënjohjen më të thellë.
Mendoj që pyetjet duhet të përqëndrohen rreth këtij akti historik se jemi para historisë sepse ka një koncept të gabuar qw unw jam njeri që punoj për historinë, por e vërteta është që pavarësisht se çfarë mendon dhe çfarë dëshiron, historia nuk është vetëm e shkuara. Historia është edhe e sotmja, historia është edhe e ardhmja.
Por këtu kemi të bëjmë më shumë se me çdo tjetër, me të sotmen dhe me një të ardhme të sigurtë në liri të një kombi që ka vuajtuar më shumë se të gjitha kombet e tjera për lirinë e tij dhe që s’ka patur mundësi të ndërtojë të ardhmen si një komb i lirë.

Pyetje:  Zoti Berisha mendoni se mund t`ju gjykojë keq historia për shkak se mund të cilësoheni si njeriu që përplaseni herë pas here me institucionet e pavarura?

Kryeministri Berisha: Së pari dua të qartësoj se pavarësisht nga lidhjet e mia me momente të caktuara me zhvillimet e këtij vendi e tërë forca ime qëndron në faktin se unë nuk punoj për historinë, por punoj për jetën e përditshme të qytetarëve të këtij vendi, të cilët kanë vendosur tek unë besimin më të madh. Natyrisht në një vend të lirë të gjitha diversitetet e mendimeve brenda një spektri të caktuar janë të pranueshme. Unë mendoj se institucionet e pavarura në këtë vend lindën para së gjithash dhe mbi të gjitha nga ai vendim, nga ajo sakrificë që u mor për të shembur perden e hekurt, nga ata burra dhe gra, djem dhe vajza, të rinj dhe të reja që shembën në Tiranë "Perden e Hekurt", “Murin e Berlinit” dhe i hapën rrugën pluralizmit politik. Në këtë kontekst  pavarësia e institucioneve mbetet një qëllim madhor, një parim madhor i jetës dhe veprimtarisë sime. Kjo është tashmë e njohur.


Pyetje: Mund të vihet në rrezik anëtarësimi në NATO për shkak të Greqisë, e cila ende nuk ka ratifikuar Marrëveshjen e Stabilizim Asoiciimit dhe mund të vonojë dhe Protokollin për anëtarësimin në NATO?

Kryeministri Berisha: Përsa  i përket ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nuk ka absolutisht në të gjithë të dhënat nga komisioni dhe nga autoritetet greke vonesa ka lidhje me disa probleme të përkthimit të tekstit siç është e njohur se çështja e përkthimit krijoi vonesa dhe në Austri, e cila e kapërceu, krijoi vonesa në Gjermani, e cila akoma nuk e ka ratifikuar, por ratifikimi i MSA-së është një proces që ecën në mbarësi të plotë. Mendoj se Greqia ka dhënë një kontribut të çmuar dhe të pamohueshëm dhe të shumëanshëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Greqia ka qenë mbetet një protagoniste shumë e rëndësishme e proceseve integruese europiane dhe euroatlantike në rajon.

Pyetje:  Në emër të anëtarësimit në NATO a do të merrte parasysh qeveria kontestimet që po vijnë më së shumti nga grupet e interesit madje edhe sot lidhur me disa nga projektligje të rëndësishme për reformën në drejtësi?

Kryeministri Berisha: Një gjë dua t`ju siguroj me bindjen dhe vendosmërinë më të madhe se ligjet e këtij vendi do të jenë ligjet e standardeve më të mira demokratike. Por në qoftë se kërraba e interesit kërkon t`i tërheqë ato nuk do të mundë t`i tërheqë.  Ka disa ditë që bëjnë fjalë për lejet e ndërtimit. Ata të cilët kanë vendosur sistemin e 15 % ata keqpërdorin , disinformojnë, shpallin në gazetat e tyre se Berisha po u merr kompetencat bashkive. Jo absolutisht qeveria nuk po u merr kompetencat bashkive. Parimi “silence is consent” (heshtja është miratim) nuk do të thotë t`i marrësh kompetencat bashkisë, pasi ky parim do të zbatohet edhe për administratën qëndrore, e cila nuk ka leje ndërtimi por ka shumë leje të tjera dhe në tërësinë 335 ditëshe ky parim i displinon të gjithë faktorët. Ky parim është shumë shumë më i madh se një leje ndërtimi, por synon për t`i vënë fre korrupsionit dhe burokracisë , për t`i vënë një kufizim shtetit. Shteti duhet të ketë kufizime dhe këto ligje nuk po i shpikim ne-të jeni të sigurtë-këto ligje janë praktikat më të mira që ne po i marrim, ne kemi modele tani dhe ecim modele.
Për të mos kaluar në çështje jashtë teme edhe njëherë dëshiroj të shpreh mirënjohjen më të thellë sepse 24 tetori ishte një ditë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët për marrëdhëniet e shkëlqyera me vendin e lirisë, realizimin e projektit madhor, projektin që e mbështesin 96 % e shqiptarëve.

Pyetje: Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së duket se janë të mira, por si janë marrëdhëniet mes Kryeministrit dhe ambasadorit amerikan?

Kryeministri Berisha: Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera, mund ta them me përgjegjësi të plotë. Marrëdhëniet midis Kryeministrit dhe ambasadorit janë marrëdhënie normale, marrëdhënie që karakterizohen nga një frymë e hapur bashkëpunimi dhe ambasadori dhe ambasada ka rolin e vet të padiskutueshëm në të gjitha këto zhvillime historike në Uashington. Për këtë nuk mund të ketë komente.

Ju faleminderit !                   
     


25/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›