E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron z. Tomor Aliko me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë.

27 tetor 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi sot, gjatë një ceremonie të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shoqatës Kombëtare të ish-të përndjekurve politikë Antikomunistë të Shqipërisë, dhe autorin e librit "Genocidi mbi elitën intelektuale të kombit shqiptar nën terrorin komunist", z. Tomor Aliko me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, Aleksandër Flloko, lexoi dekretin përkatës me motivacionin: “Për qëndresën kundër diktaturës komuniste dhe kontributin e vyer në evidentimin e publikimin e krimeve të saj ndaj kundërshtarëve politikë, veçanërisht ndaj elitës intelektuale të kombit”

Nga ana e tij, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shoqatës Kombëtare të ish-të përndjekurve politikë Antikomunistë të Shqipërisë, z. Aliko u shpreh: “Në radhë të parë falënderoj, Presidentin e Republikës, z. Bamir Topi për vlerësimin që bëri për veprat e mia dhe kjo është jo vetëm për mua, por për të gjithë të përndjekurit politikë të Shqipërisë. Qëllimi kryesor i veprave të mia është vetëm evidentimi i krimeve të komunizmit dhe kësaj ia kam arritur me disa libra, me dy ekspozita, me filmin e fundit “Genocid mbi elitën e kombit shqiptar” dhe jam shumë i kënaqur që kam arritur këtë ditë sot. Megjithatë me gjithë moshën që kam të kaluar premtoj se në qoftëse do të kem jetë, kam për të bërë dhe një ekspozitë e cila do të mbetet e paharruar”.

Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm familjarë dhe miq të z. Aliko, drejtues dhe përfaqësues të Shoqatës Kombëtare të ish-të përndjekurve politikë Antikomunistë të Shqipërisë dhe të të persekutuarve, si dhe stafi i Presidentit të Republikës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›