Kryeministri Berisha viziton Panairin Rajonal të Prodhimeve Bujqësore në Qarkun e Korçës
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Panairit Rajonal të Prodhimeve Bujqësore në Qarkun e Korçës. Në këtë panair marrin pjesë rreth 80 agrobiznese dhe ekspozojnë prodhimet e tyre mbi 300 fermerë të këtij Qarku.
Në fjalën e tij përshëndetëse Kryeministri Berisha pasi i falenderoi organizatorët e panairit për ftesën , e cilësoi organizimin e këtij panairi si festën e prodhimit. Kryeministri u shpreh se këtë vit fermerët e Qarkut të Korçës kanë realizuar prodhimin më të mbarë se kurrë më parë në historinë e këtij qarku.
“Këtë vit ju mund të krenoheni më shumë se kurrë me rezultatet e punës mendjes, djersës dhe mundit tuaj. Ju fermerë të Korçës në traditën familjare punëdashëse keni shkëlqyer më shumë se kushdo tjetër. Sot Korça ka një prodhim bujqësor që nuk e ka njohur kurrë më parë. Sot fermerët e Korçës me fermat e tyre janë bërë dhe po bëhen gjithnjë e më konkurrues. Këtë vit ju keni mbjellë dru frutorë 20 herë më shumë se në vitin 2005”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri i garantoi fermerët korçarë se qeveria do t`i mbështesë ata që ta shndërrojnë Korçën në kryeqytetin e Ballkanit për mollën e cilësisë më të lartë, mollën starkinge, dhe shprehu bindjen se shumë shpejt do të festohet kjo ditë.
“Unë kam ardhur disa herë gjatë muajve të fundit këtu në Korçë dhe kam inauguruar frigoriferë dhe kapacitete të tjera përpunuese në mbështetje të prodhimeve tuaja”, u tha Kryeministri Berisha feremerëve të pranishëm.
Kryeministri tha se edhe në procesin e integrimit, i cili përbën projektin më madhor të vendit, fermerët kanë shënuar një sukses të madh. “Me eliminimin e barrierave doganore eksportet tuaja drejt Europës janë rritur madje edhe tek vendet me bujqësi të zhvilluar. Kjo do të thotë se ardhmja e këtij sektori është e shkëlqyer”, u shpreh Kryeministri.
Në këtë kontekst Kryeministri shprehu angazhimin e plotë të qeverisë për urbanizimin e infrastrukturës në të gjitha fshatrat e vendit.
Ne, vijoi Kryeministri Berisha, do të asfaltojmë rrugët, do ti rindërtojmë dhe do të ndërtojmë shkolla të reja, ujësjellësa dhe kanalizime në mënyrë që ju pasi të mbyllni ditët e lodhshme të punës në fermat tuaja të ndjeni të gjitha lehtësirat që ka qyteti. “Unë isha para disa ditësh në një lagje në Xhafzotaj dhe fermerët atje më thanë se me rrugët e asfaltuara ndiheshin si në qytet. Ne kemi investuar 1.2 miliardë dollarë në zhvillimin e qëndrueshëm rural në rrugë , ujësjellësa, kanalizime, shkolla të fshatrave shqiptare”, tha Kryeministri. Ju jap fjalën, vijoi më tej Kryeministri, se ne do të financojmë derisa të krijojmë një infrastrukturë moderne në të gjithë fshatrat e vendit.
Gjithashtu Kryeministri theksoi se pensionet në fshat që ishin në vlera qesharake 4 vite më parë, po shkojnë drejt dyfishimit dhe do të dyfishohen në vitin 2009 dhe do të ecet me shpejtësi drejt nivelimit të plotë me pensionet në qytet.
“Ne do ju mbrojmë nga kontrabanda dhe kontrabandistët. Katër vjet më parë njeriu që i rrinte në krah kryeministrit, ishte importuesi kryesor i ushqimeve. Natyrisht prodhimet tuaja do të kalbeshin në fushë. Kjo nuk ndodh më”, theksoi Kryeministri.
Në vijim të fjalës së tij Kryeministri falenderoi të gjithë fermerët e Korçës për punën e shkëlqyer që kanë bërë dhe bëjnë dhe shprehu vendosmërinë e qeverisë për të mbështetur fuqishëm tregun e prodhimeve të tyre.
Gjithashtu Kryeministri falenderoi USAD-in, Bankën Botërore, SNV-në dhe çdo institucion tjetër që u ka qëndruar afër fermerëve të Korçës gjatë këtyre viteve fermerëve të Korçës në pëballimin e vështirësive të mëdha.
Kryeministri Berisha u takua dhe bashkëbisedoi me fermerë pjesëmarrës në këtë panair dhe u njoh nga afër me problemet e tyre.
Kryeministriu rikonfirmoi edhe njëherë fermerëve se qeveria do të vazhdojë t`i mbështesë ata me investime dhe me lehtësira për arritjen e tregjeve në një kohë sa më të shkurtër.
Në këtë ceremoni ishte e pranishme edhe Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Tiranë, znj. Roberta Mahoney, e cila garantoi se qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojë ndihmën ndaj fermerëve shqiptarë.
“Në eksperiencën time unë jam mbështetëse e vendeve me ekonomi në rritje dhe kjo është shumë e vërtetë për Shqipërinë, e cila ka një mbështetje të madhe tek agrobiznesi. Ndaj Shtetet e Bashkuara kanë financuar për rritjen e konkurencës së fermerëve nëpërmjet projektit AAC me vlerë 10 milionë dollarë për zgjidhjen e problemeve dhe sfidave gjatë 5 viteve në vazhdim për fermerët shqiptarë”, u shpreh znj. Mahoney.
11/10/2008