E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklarimet e tatimpaguesve të mëdhenj, qeveria miraton ndryshimet

Autori i Lajmit: red.
Qeveria në mbledhjen e saj të radhës ka miratur dje, sistemin e komunikimit, ndërmjet tatimpaguesit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet një rrjeti të sigurt transmetimi të dhënash të enkriptuara. Tashmë deklarimet mujore të kategorisë së tatimpaguesve të mëdhenj do të jenë më të shpeshta në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim-taksave, si dhe do të bëhet e mundur që ato të jenë tërësisht online, me GPRS ose me ndonjë formë tjetër transmetimi, duke e marrë këtë shërbim nga shoqëritë në treg, që ofrojnë një shërbim të tillë, brenda datës 30 prill 2009. Transmetimi i të dhënave mujore të xhiros në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve bëhet brenda datës 10, të muajit pasardhës. Në mbështetje të pikës 3, të nenit 102 të Kushtetutës, dhe të nenit 7, të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave. Në këtë vendim do të bëhen këto ndyshime: “2.3. Sistemi i komunikimit, ndërmjet tatimpaguesit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet një rrjeti të sigurt transmetimi të dhënash të enkriptuara. Sistemi i komunikimit, ndërmjet shoqërive të regjistruara në degën e tatimpaguesve të mëdhenj dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duhet të realizohet nëpërmjet një rrjeti të sigurt transmetimi të dhënash të enkriptuara. Shoqëritë e regjistruara në degën e tatimpaguesve të mëdhenj, të cilat përdorin pajisje, sipas kërkesave të këtij vendimi, duhet të sigurojnë transmetimin e të dhënave të xhiros së pajisjes fiskale në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në formë elektronike, në mënyrë të detyrueshme, nëpërmjet sistemit GPRS ose me ndonjë formë tjetër transmetimi, duke e marrë këtë shërbim nga shoqëritë në treg, që ofrojnë një shërbim të tillë, brenda datës 30 prill 2009. Transmetimi i të dhënave mujore të xhiros në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve bëhet brenda datës 10, të muajit pasardhës. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve hyn në marrëveshje kontraktuale bashkëpunimi me operatorët e telefonisë celulare, për sigurimin e shërbimit sipas kësaj skeme”. “38 personat, juridikë dhe fizikë, që do të mbajnë të dhënat e xhiros, nëpërmjet regjistruesit elektronik, janë të detyruar të mbajnë regjistrimet, në përputhje me kërkesat e këtij vendimi, sipas kalendarit të mëposhtëm:
a) Brenda periudhës nëntor 2008 - maj 2009, personat e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, të cilët administrohen nga drejtoria rajonale tatimore e tatimpaguesve të mëdhenj dhe drejtoria rajonale e Tiranës.
b) Brenda periudhës janar-dhjetor 2009, personat e regjistruar për TVSH-në dhe tatimpagues të tatimit mbi fitimin, të cilët administrohen nga drejtoritë e tjera rajonale tatimore.
c) Brenda periudhës qershor 2010, personat e regjistruar në biznesin e vogël, të cilët ushtrojnë veprimtari në bashkitë e Tiranës, të Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Lushnjës, Beratit, Sarandës, Korçës, Pogradecit, Elbasanit, Shkodrës e Lezhës. Po brenda këtij afati janë të detyruar të mbajnë regjistrime, nëpërmjet regjistruesve elektronikë fiskalë, edhe tatimpaguesit e biznesit të vogël në komunat Shëngjin, Golem, Rashbull, Orikum, Himarë dhe Ksamil.
ç) Brenda periudhës dhjetor 2010, të gjithë tatimpaguesit e tjerë, të biznesit të vogël.
Nuk janë të detyruar të përdorin regjistruesin elektronik fiskal, sipas kërkesave të këtij vendimi, profesionet e lira, ambulantët dhe shërbimi i transportit, të përcaktuara në aneksin nr.5, të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”. Rregullat dhe procedurat e instalimit dhe të përdorimit të pajisjeve fiskale janë njëlloj të zbatueshme si për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, ashtu edhe për tatimpaguesit e biznesit të vogël”.
Ky lajm është publikuar: 13/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›